Të dërguarit e presidentit të SHBA-ve Donald Trump për paqen, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, kanë mbërritur në Kiev sot, ku janë takuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Vizita vjen në kuadër të përpjekjeve të administratës së Donald Trump për të arritur një marrëveshje që do t’i japë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, e cila vijon prej më shumë se katër vitesh.

Kushner dhe Witkoff udhëtuan drejt Kievit nga Moska, ku të shtunën zhvilluan një takim tre orësh me presidentin rus Vladimir Putin. Bisedimet nuk sollën një marrëveshje të re, por Putin i cilësoi ato si “shumë të dobishme”. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se hapat e ardhshëm në procesin e negociatave pritet të bëhen të ditur gjatë javëve në vijim.

Presidenti Trump ka premtuar prej kohësh se do të përpiqet t’i japë fund shpejt luftës në Ukrainë. Raundet e mëparshme të negociatave të ndërmjetësuara nga SHBA-ja nuk kanë sjellë ende rezultate konkrete. Të premten, Trump tha se SHBA-ja ka një propozim të ri për përfundimin e luftës, por nuk dha detaje rreth përmbajtjes së tij.

Zelensky ka deklaruar se Ukraina dëshiron t’i japë fund luftës, por kërkon garanci të forta për sigurinë dhe një paqe që ai e cilëson dinjitoze. Para takimit me të dërguarit amerikanë, presidenti ukrainas tha se ekipi i tij negociues kishte zhvilluar një takim përgatitor dhe se propozimet e Ukrainës ishin gati.

Në Kiev ndodheshin të dielën edhe këshilltarët për sigurinë kombëtare të Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë. Nuk është bërë e ditur nëse ata do të marrin pjesë në takimet me delegacionin amerikan.

Kjo është vizita e parë e Kushner dhe Witkoff në Kiev në kuadër të rolit të tyre si negociatorë amerikanë. Të dy kanë udhëtuar disa herë në Moskë gjatë përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje diplomatike. Vizita është pritur me interes edhe nga banorët e Kievit. Pavarësisht sulmeve të rënda ruse të javëve të fundit, disa qytetarë shpresojnë se negociatat e reja mund të sjellin përparim drejt përfundimit të luftës.

/tvklan.al