Thomas Markle Jr., vëllai i Meghan Markle, është përfshirë në hetimet që po zhvillohen në Filipine për një çështje të dyshuar të pornografisë me fëmijë, pasi dëshmitarët kanë pretenduar se në banesën e tij dërgoheshin vajza të mitura.
Ministri i Brendshëm i Filipineve, Juanito Victor Remulla, ka bërë të ditur se 60-vjeçari është një person me interes për hetimin. Megjithatë, deri tani ai nuk është shpallur zyrtarisht i dyshuar.
“Ekzistojnë indicie se edhe djali mund të jetë i përfshirë në veprën penale. Por, për momentin, ai është vetëm person me interes dhe ende nuk trajtohet si i dyshuar”, deklaroi Remulla gjatë një konference për shtyp në Manila, raporton “The Telegraph”.
Sipas ministrit, policia ka marrë dëshmi se në banesën e Thomas Markle Jr. dërgoheshin vajza të mitura. Nga ana e tij, vëllai i dukeshës ka pretenduar para autoriteteve se në atë shtëpi vetëm incizonte video për TikTok.
Rasti merr një tjetër kthesë, pasi ishte pikërisht Thomas Markle Jr. ai që kishte denoncuar më herët të atin, Thomas Markle Sr., duke pretenduar se në banesën e tij kishte zbuluar materiale që përmbanin abuzim seksual ndaj fëmijëve.
Më 3 nëntor, policia filipinase bëri me dije se materiale të dyshuara të kësaj natyre ishin zbuluar në kompjuterë, telefona dhe pajisje të tjera elektronike të sekuestruara nga një banesë në Cebu.
Hetimet janë shtrirë edhe në Meksikë, ku autoritetet kontrolluan një ish-magazinë të Thomas Markle Sr. në Rosarito. Kontrolli erdhi pas raportimeve për gjetjen e fotografive eksplicite dhe revistave që përmbanin imazhe të vajzave të mitura.
Ndërkohë, babai i Meghan ka pranuar se gjatë qëndrimit në Filipine kishte paguar për marrëdhënie seksuale me gra të rritura, por ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje me të mitura apo posedimin e materialeve pornografike me fëmijë.
E gjithë kjo situatë rikthen në vëmendje marrëdhënien e ndërlikuar të familjes Markle me Meghan. Dukesha nuk ka komunikuar me të atin që prej periudhës para martesës me Princin Harry, në vitin 2018.
Më herët, ajo është shprehur se akuzat ndaj të atit e kishin tronditur thellësisht, ndërsa kishte vendosur të mos lejonte kontaktin e tij me fëmijët e saj, duke e konsideruar këtë një mënyrë për t’i mbrojtur ata.
/tvklan.al












Botërori 2026 
