Rusia dhe Ukraina kanë rënë dakord për një armëpushim për Pashkët Ortodokse. Presidenti rus Vladimir Putin tha se ka urdhëruar trupat ruse të ndalojnë zjarrin “në të gjitha drejtimet” këtë fundjavë.

Deklarata nga Moska erdhi pasi Volodymyr Zelensky bëri thirrje të përsëritura për armëpushim, të cilat më herët ishin injoruar nga Kremlini.

Putin ka njoftuar një armëpushim nga ora 16:00 sipas kohës lokale të së shtunës, deri të dielën e Pashkëve, duke shtuar se priste që Ukraina të “ndiqte shembullin” e Rusisë. Ai urdhëroi forcat e tij të jenë të gatshme për të kapur “provokimet e mundshme të armikut” dhe çdo “veprim agresiv”.

Menjëherë pas kësaj, Zelensky dha miratimin e tij duke postuar në X se Ukraina ishte “gati për hapa simetrikë”.

“Ne do ta respektojmë armëpushimin. Gjithmonë kam thënë se jemi gati të ndërmarrim hapa simetrikë. Njerëzit kanë nevojë për një Pashkë të lirë nga kërcënimet dhe një lëvizje të vërtetë drejt paqes. Rusia ka një shans të mos kthehet te sulmet edhe pas Pashkëve”.

Më herët këtë javë, Zelensky tha se i kishte kërkuar Shteteve të Bashkuara t’i kalonin Moskës një propozim për një armëpushim gjatë fundjavës së festave, si hap i parë.

Ndërkohë, ukrainasit janë skeptikë për këtë vendim të Moskës, pasi u shprehën se marrëveshje të tilla janë shkelur herë pas here nga Rusia.

Klan News

/tvklan.al