Rrjeti i kanaleve kulluese dhe ujitëse në Lushnjë po pastrohet për t’u paraprirë problematikave që mund të shkaktojnë reshjet e dimrit. Ndërhyrjet synojnë përmirësimin e kullimit të ujërave dhe shmangien e përmbytjeve në zonat e rrezikuara, ku edhe vitin e kaluar u shënuan probleme.
Në Savër, banorët thonë se pastrimi i kanalit që përshkon zonat e banuara kryhet një herë në katër vjet, por kjo, sipas tyre, nuk është e mjaftueshme. Ata kërkojnë mirëmbajtje të përvitshme, ndërsa një tjetër shqetësim mbetet hedhja e mbeturinave në kanale.
Banorët ngrenë gjithashtu shqetësimin se gjatë verës, mbeturinave të hedhura në kanale u vihet zjarri, duke shkaktuar ndotje dhe probleme për komunitetin. Në disa raste, mbetjet kanë sjellë edhe dëmtime të rrjetit të kanaleve kryesore.
Në njësitë administrative Krutje, Bubullimë, Fier‑Shegan dhe Allkaj, Bashkia e Lushnjës ka planifikuar nisjen e punimeve gjatë muajit tetor. Sipas përgjegjësit të Bordit të Ujitjes dhe Kullimit pranë bashkisë, një nga problematikat kryesore gjatë mirëmbajtjes së rrjetit mbetet dëmtimi i sistemit kullues nga hedhja e mbeturinave.
Deri më tani, Bashkia e Lushnjës ka pastruar 4 kilometra kanale kulluese, ndërsa i gjithë rrjeti kullues dhe ujitës shtrihet në mbi 1 mijë kilometra. Pastrimi dhe mirëmbajtja e rregullt e tij janë thelbësore për garantimin e kullimit të ujërave dhe uljen e rrezikut të përmbytjeve gjatë muajve me reshje të dendura.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 