Në një periudhë kur ndryshimet klimatike dhe nevoja për siguri ushqimore po riformësojnë prioritetet e çdo vendi, Shqipëria zotëron një pasuri të çmuar që shpesh kalon pa u vënë re. Brenda Institutit të Resurseve Gjenetike të Bimëve, pjesë e Universitetit Bujqësor të Tiranës, ruhet thelbi i së ardhmes sonë bujqësore. Ky institut, i cili përmban Bankën Kombëtare të Farave, luan një rol kyç në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor në Shqipëri, duke siguruar që diversiteti bimor i vendit tonë të mos humbasë në harresë.
Siç thekson drejtoresha e tij, Prof. As. Dr. Valbona Hobdari, qëllimi dhe misioni i institutit është promovimi, konservimi dhe ruajtja afatgjatë e këtyre resurseve sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, në kushte të kontrolluara, për të garantuar jetëgjatësinë e tyre për brezat që vijnë.
Aktualisht, në Bankën Gjenetike ruhen 5200 aksesione të një game të gjerë bimësh, që përfshijnë perime, drithëra, bimë mjekësore dhe foragjere. Nga kjo sasi, 1200 aksesione janë në statusin e farës dhe ruhen në temperaturën -20°C, duke garantuar jetëgjatësi mbi 50 vjet. Një pjesë tjetër e pasurisë ruhet në koleksionin fushor në bazën eksperimentale të Valiasit, një sipërfaqe prej 10 hektarësh, ku kultivohen pemët frutore, ulliri dhe vreshti.
Fatkeqësisht, një pjesë e konsiderueshme e këtyre varieteteve autoktone po rrezikohen të zhduken. Rreziku është më i theksuar për perimet dhe drithërat, të cilat kërkojnë sipërfaqe më të mëdha për t’u kultivuar dhe janë më të ndjeshme ndaj ndryshimeve klimatike dhe kryqëzimit me varietetet e huaja.

Një nga sfidat kryesore të institutit është promovimi i farave autoktone në një treg ku hibridet kanë marrë dominancë. Edhe pse varietetet tona vendase kanë vlera ushqyese dhe shije shumë më të larta se ato hibride, ato prodhojnë më ngadalë dhe në sasi më të vogla, gjë që i largon fermerët e orientuar drejt tregut.
Instituti ka filluar të ndërmarrë hapa konkretë për ta kthyer këtë pasuri kombëtare në përdorim. Në bashkëpunim me fermerë të ndryshëm dhe agroturizma, është realizuar një projekt pilot që ka pasur impakt të madh në promovimin e farave autoktone.
Farat që na dallojnë dhe përpjekjet për t’i mbrojtur
Rëndësi të veçantë në Bankën Gjenetike i është kushtuar perimeve tradicionale si domatja, patëllxhani dhe specat, të cilat dallojnë thelbësisht nga varietetet hibride që mbushin tregun sot. Po ashtu, ruhen drithëra si gruri, misri dhe elbi, si dhe një pjesë e konsiderueshme e bimëve mjekësore, me të cilat Shqipëria është e njohur ndërkombëtarisht. Këto resurse përdoren për përmirësim gjenetik dhe për studime nga studentët dhe kërkuesit e Universitetit Bujqësor të Tiranës, duke krijuar një lidhje të ngushtë midis kërkimit akademik dhe ruajtjes së trashëgimisë bimore.
Laboratori, zemra e procesit të ruajtjes
Laboratori i Institutit të Resurseve Gjenetike të Bimëve përfaqëson zemrën e procesit që garanton jetëgjatësinë e farave autoktone. Çdo farë që hyn në bankën gjenetike kalon një sërë analizash të përpikta, duke filluar nga tharja e farave për reduktimin e lagështisë në nivelin optimal e deri te testi i fuqisë mbirëse. Ky test është thelbësor, sepse tregon nëse fara ka aftësinë të mbijë dhe të prodhojë një fidan të shëndetshëm.
Të gjitha procedurat dhe analizat ndjekin protokollet standarde ndërkombëtare të bankave gjenetike, duke përdorur udhëzimet e FAO-s dhe protokollet e ISTA-s, njësoj si çdo bankë gjenetike në botë.
Siguria e së ardhmes në Arktik
Për të garantuar sigurinë maksimale të kësaj pasurie kombëtare, rreth 1900 aksesione janë dubluar në Arkën Globale të Farave në Svalbard, Norvegji. Ky sigurim kundër çdo fatkeqësie, tërmetit, luftës apo ngjarjeve të tjera katastrofike, u mundësua nga mbështetja e organizatës Crop Trust. Shqipëria ishte me fat që u përfshi në këtë program dhe tashmë ka të siguruara jashtë vendit rreth 50% të aksesioneve të saj, kryesisht drithëra dhe leguminoze. Ky dublim përfaqëson një garanci se farat tona autoktone nuk do të humbasin kurrë përgjithmonë.
E ardhmja: Banka e re gjenetike në Valias
Pranë bazës eksperimentale në Valias ka filluar ndërtimi i një banke gjenetike të re dhe shumë më të zgjeruar. Ky investim do të krijojë hapësira të reja dhe ambicie të mëdha për ta kthyer atë në një qendër ekselence për studentët dhe kërkimin shkencor. Banka e re do të pajiset me infrastrukturë moderne dhe teknologji të avancuar për analiza molekulare dhe gjenetike të resurseve, diçka që sot mungon në bankën aktuale. Kjo hapje e re do të mundësojë një nivel tjetër të kërkimit dhe ruajtjes së pasurisë sonë gjenetike, duke i dhënë një shtytje të re bujqësisë shqiptare.












Botërori 2026 