Është kthyer sërish në qendër të debatit Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë së politikanëve. Pas disa shkrimeve në gazetën e Partisë Socialiste “Zëri i Popullit” mbi pasurinë e ish- kryeministri Meta dhe disa politikanëve të tjerë kryeinspektorja Fatmira Laska ka dalë në një konferencë për shtyp ku ka paraqitur disa parregullsi në deklaratën e pasurisë së deputetes Monika Kryemadhi. Këto elemente janë deklaruar së bashku me disa pasaktësi të deklaratës së ministrit Klosi, i sekretarit të Ministrisë së Arsimit dhe të një ish-deputeti.

Fatmira Laska: “Në formularin e pasurisë së paluejtshme, subjekte Monika Hoxha deklaron se është pronare 100% e 1200 m2 arë, nga të cilat 200 m2 truall dhe 50 m2 banesë kur në fakt me dokumente justifikuese provohet se ajo zotëron vetëm ½ e shtëpisë njëkatëshe me sipërfaqe 115 m2 të ndërtuar brenda të njëjtit truall të lartëpërmendur, kjo, dhuratë nga i vëllai i saj Drini Kryemadhi. Rezultoi dhe një fakt tjetër se banesa, pronare e së cilës është zonja Kryemadhi nuk përbëhet më nga një kat, por nga dy kate plus dhe papfingo të cilat nuk janë deklaruar nga ajo. Në deklaratën e dorëzuar nga zonja Kryemadhi nuk është deklaruar dhe një autoveturë tip Golf e dhuruar e cila na konfirmohet nga Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor.”

Pas konferencës së zonjës Laska ka reaguar deputetja Kryemadhi duke saktësuar se në deklarimet e pasurisë ka shënuar gjithçka që disponon. Në lidhje me mjetin tip Golf, Kryemadhi ka shpjeguar se, në momentin e dorëzimit të deklaratës, makina në fjalë nuk ishte më pronë e saj pasi është shitur për 700 000 lek.

Monika Kryemadhi: “Përpjekjet mjerane të këtyre institucioneve të komanduara nga pushteti nuk më shqetësojnë aspak pasi, pavarsisht përpjekjeve të tyre nuk mund të zhvendosin dot vëmendjen nga pallatet e tyre të paligjshme apo nga makina të dhuruara prej qindra mijëra dollarësh për shefat e tyre që kanë sot. Me këtë rast më lejoni të shpreh gatishmërinë time për të bashkëpunuar me të gjitha organet ligjore dhe mediat për të sqaruar të gjithë këta probleme që janë paraqitur sot. Qeveritarët e sotëm apo gazeta e partisë në pushtet bëjnë deklarime të tilla dhe mbas tre muajsh presionesh të tilla publike që mund t’i ketë bërë aq sa i ka ardhur urdhëri nga lart, ka bërë një deklaratë të tillë sot që me të vërtetë është çështje që i përket zonjës në fjalë, që e ka bërë.” /tvklan.al