PD kërkon një auditimi të plotë për të gjithë procesin e votës së diasporës, që nga regjistrimi i zgjedhësve, dërgimi i zarfeve me fletët e votimi në adresën e deklaruar prej tyre, deri të kthimi i zarfeve në vendin tonë.
Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Ivi Kaso, thotë se kjo është forma më e mirë për të bërë transparencë për votën e qytetarëve që votuan nga jashtë vendit.
“I kërkojmë zyrtarisht KQZ kryerjen e një auditi të plotë me ekspertë të pavarur për të gjitha hapat e këtij procesi të korruptuar deri në palcë, duke filluar nga regjistrimi i zgjedhësve, nga prodhimi i fletës së votimit, nga çdo hap tjetër i administrimit të fletës së mbërritur për votimin e diasporës nga jashtë deri përfundimisht në daljen e rezultatit për secilin qark”, tha Ivi Kaso.
PD i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të mos miratojë asnjë rezultat përfundimtar të votës së diasporës, pa u realizuar më parë auditi.
“I kërkojmë KQZ-zë mosnxjerrjen e asnjë rezultati dhe mosmiratimin përfundimtar të asnjë tabele për diasporën deri sa auditi i pavarur të dorëzojë konkluzionet e tij mbi procesin dhe të bëjë transparencë të plotë mbi votën e shqiptarëve”, tha Ivi Kaso.
PD e cilëson procesin e votës së diasporës një dështim dhe si të korruptuar për të favorizuar PS.
Klan News