Ashtu siç kishin paralajmëruar demokratët e depozituan në Gjykatë Kushtetuese paketën ligjore të qeverisë për tubimet, ku këkrojnë shfuqizimin e tre nismave të qeverisë dhe pezullimin e tyre.

“Kemi depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin, si dhe për pezullimin e zbatimit të tyre deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes”, tha Bardhi.

Sipas demokratëve aktet e qeverisë që parashikojnë kufizime dhe masa administrative nga 5 mijë deri në 500 mijë lekë për pjesëmarrje në protesta të ndaluara, ose fshehje të identitetit, mosbindje ndaj urdhrave të policisë, apo bllokim të qarkullimit cenojnë të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore si dhe lirinë e shprehjes.

“Është një betejë për të mbrojtur Kushtetutën nga një qeveri që, në mënyrë të rreme, gjoja në emër të rendit publik, kërkon të zgjerojë kompetencat e veta përtej kufijve kushtetues, me një qëllim, të shuaj më dhunë zërin e qytetarëve, të asgjesojë në praktikë një të drejtë kushtetuese, të drejtën për të protestuar”, tha Bardhi.

Përmes kreut të grupit parlamentar Partia Demokratike i bën thirrje faktorit ndërkombëtar që të bëjë një vëzhgim më të thelluar të paketës së qeverisë, me argumentin se bien ndesh me çdo standart dhe konventën europiane për të drejtat e njeriut dhe angazhimet ndërkombëtare që Shqipëria ka në fushën e të drejtave të njeriut.

/tvklan.al