“Paratë duhet të shkojnë për qytetarët dhe bizneset”

Partia Demokratike shprehet se kryeministri Edi Rama gënjen kur thotë se ka burime të kufizuara financiare dhe sipas saj refuzon të ndihmojë qytetarët dhe bizneset për të kapërcyer krizën ekonomike. Sipas selisë blu, qeveria ka para, por ato nuk i ka për njerëzit e zakonshëm. Për këtë Dorian Teliti mori shembull inceneratorët.

“Taksat e rritura të shqiptarëve nuk i kthen sërish tek qytetarët, në mënyrë që bizneset të mos falimentojnë, apo që prindërit të mos u heqin fëmiëjve bukën e gojës për të blerë maska. Me taksat tuaja, të dashur qytetarë, paguan klientët e vet.  Inceneratorët janë rasti më flagrant. Gjithçka për inceneratorët e korrupsionit, asgjë për qytetarët në nevojë”.

Sipas PD-së, qeveria ka paguar për inceneratorin e Fierit dhe të Tiranës këtë javë 2 milionë euro.

“2 milionë euro janë një thesar në këtë kohë të vështirë. Me kaq para mund të siguroheshin maska për të gjithë pensionistët,  mësuesit, të papunët apo ata që janë në kushtet e mbijetesës deri në fund të dimrit. Me 2 milionë euro, Edi Rama mund të kishte ndihmuar rreth 1 milionë shqiptarë. Edi Rama, Arben Ahmetaj, Erion Veliaj duhet t’u thonë shqiptarëve kush fshihet pas kompanisë guackë të inceneratorit të Tiranës? Në xhepat e kujt kanë përfunduar 75 milionë euro 3 vitet e fundit?

Sipas PD-së, më 25 Prill kryeministri Rama do të marrë faturën politike për braktisjen që sipas saj i është bërë qëllimisht qytetarëve./tvklan.al