Partia Demokratike në një deklaratë publike i ka sugjeruar qeverisë tre masa urgjente që duhen marrë në këtë situatë që ka shkaktuar koronavirusi.

Masat që propozon PD janë:

1.     Mbrojtja e personelit mjekësor me pajisje dhe mjete speciale.

2.     Dezinfektim me shpejtësi në nivel kombëtar për rrugët, mjediset publike dhe ndërtesat jopublike.

3. Miratimin pa vonesë të paketës social-ekonomike për shmangien e krizës.

 “Pas mjekëve dhe infermierëve të Spitalit të Durrësit dhe Beratit, sot media raporton se edhe mjekë dhe infermierë në Spitalin e Fierit, janë futur në karantinë, për shkak se i kanë shërbyer personave të prekur nga koronavirus pa mjetet e nevojshme mbrojtëse”, thuhet në deklaratën e PD.  

PD thotë se Shqipëria ka personel të kufizuar shëndetësor dhe se nuk e kemi luksin që ata të futen në karantinë.

“Nëse kjo ndodh masivisht, bie muri mbrojtës mes qytetarëve dhe virusit të rrezikshëm. Mjekët nuk do të jenë në gjendje të trajtojmë qytetarët e sëmurë. Akoma nuk është vonë që qeveria t’i japë fund papërgjegjshmërisë me të cilën ka vepruar deri tani më raport me sistemin shëndetësor. Për ta ruajtur atë nga kolapsi, është emergjente pajisja e stafit mjekësor me mjete mbrojtëse”.

 Sipas PD kjo nuk është çështje dëshirash por është detyrim ligjor. /tvklan.al