Sali Berisha e sfidoi Kryeministrin Rama pas marrjes në mbrojtje të ish-drejtoreshës së AKSHI-t, duke i kërkuar nisjen e një hetimi parlamentar për atë që kryedemokrati e cilëson aferë korruptive.
“Mbrojtja që ai i bën Mirlindës është dëshmi e implikimit të tij të thellë familjar në aferën e AKSHI-t. Unë i bëj thirrje Ramës të pranojë krijimin e Komisionit Hetimor parlamentar, ku të paraqitet dosja në të cilën dëshmitë e Geron Meçes fundosin jo vetëm Lindën e AKSHI-t, por edhe Lindën e Surrelit”.
Berisha kërkoi sërish largimin e Edi Ramës, duke thënë se ka konsumuar grusht shteti, pasi ka tejkaluar Kushtetutën me amendimet ligjore që nuk lejojnë pezullimin nga detyra të Kryeministrit dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar.
“Atë për funksionet e organeve kushtetuese, atë që nuk ka dashur ta bëjë Kushtetuta, nuk mund ta bëjë ligji. Kushtetuta nuk ka dashur të mbrojë kryeministrin, ministrat dhe KLSH-në nga pezullimi. Nuk mund ta bëjë ligji. Nuk mund t’u japësh kurrë mbrojtje tjetër përveç asaj që i ka dhënë Kushtetuta. Jo. Sepse është tejkalim flagrant i Kushtetutës”.
Nismën e mazhorancës e cilësoi marrëzi, me argumentin se një ligj të ngjashëm që synonte mbrojtjen e kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar që në vitin 2002.
“Shkelmojnë normën kushtetuese që është vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 212 i vitit 2002. Pikërisht për kryetarin e KLSH-së, të cilit donin t’i jepnin mburojë. Jo, tha gjykata, asnjë mbrojtje tjetër përveç asaj që parashikon Kushtetuta. Nuk mund të ndryshohet Kushtetuta me ligje”.
Ndonëse ndryshimet e propozuara nga socialistët i kundërshton me forcë, ende nuk ka një përgjigje nëse demokratët do t’i atakojnë ato në Gjykatën Kushtetuese.
“A do shkojë në Gjykatë Kushtetuese apo në kryengritjen paqësore, kjo do të diskutohet”.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 