Urimin për ditëlindjen e 35-të të Partisë Demokratike, Sali Berisha e nisi me një nderim ndaj themeluesve dhe kontribuesve të saj ndër vite, që nuk jetojnë më. Për Berishën, partia që drejton, ndau epokat, duke sjellë pluralizmin në vend, por tre dekada më pas ai tha se vendi ndodhet sërish në diktaturë.
“Kur u themeluam, kishim një diktaturë përballë, sot një tjetër, një diktaturë të bazuar në drogën, vjedhjen dhe ideologjinë post-marksiste të ekstremit të majtë.”
Mes shumë intelektualëve dhe të rinjve që iu bashkuan themelimit të Partisë Demokratike, Berisha u ndal edhe te Edi Rama, i cili asokohe ishte pedagog në Akademinë e Arteve kur u bë pjesë e saj.
“Një djalë 26 vjeç, pedagog i arteve, askush nuk mendonte në atë kohë se disa vite më vonë ai person do të kthehej në fatkeqësinë më të madhe të kombit shqiptar pas Enver Hoxhës. Ky djalë ishte Edvin Kristaq Rama, ai nuk rezistoi dot më gjatë se disa orë në PD. Demokratët kanë një instikt të pagabueshëm për të dalluar të mirën dhe të keqen.”
35 vite më pas, Berisha tha se Partia Demokratike është në një mision për demokracinë, familjen dhe Shqipërinë, për të shembur regjimin e narkoshtetit të Edi Ramës, duke paralajmëruar nisjen e protestave kombëtare.
“Ta bëjmë këtë 35-vjetor si partinë që shembi dy diktatura. Kemi çdo mundësi për të shembur narko-shtetin, i dobët si Partia e Punës…Tani na pret përballja përfundimtare, të organizojmë protestat më të fuqishme kombëtare.”
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 