Pritet zgjedhja e Këshilli të ri Kombëtar

Pak pas orës 11:00 ka nisur punimet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike. Në këtë Kuvend marrin pjesë 7500 delegatë, të cilët janë  thirrur sot për të votuar Këshillin e ri Kombëtar të kësaj force politike.

Para delegatëve Basha ka dhënë disa mesazhe, duke filluar nga zgjedhjet e 25 Prillit, situata pas tyre dhe të ardhmen e PD. Basha tha se PD doli më e fortë nga zgjedhjet dhe tha se vetëm bashkë mund të bëhen ndryshime.

Kreu i PD ka ftuar dhe kritikët e tij duke thënë se nuk mund të vijohet të luftohet mes njëri-tjetrin, por lufta duhet të drejtohet kundër Ramës.

Pas fjalës së Bashës Kuvendi Kombëtar ka miratuar dhe ndryshimet në statut të propozuara prej tij. Ndërkohë pritet dhe zgjedhja e Këshillit të ri Kombëtar.

Kreu i PD ka propozuar një listë me 600 emra nga të cilët do të zgjidhen 300 anëtarët e rinj të këtij forumi. Pas zgjedhjes së Këshillit të ri Kombëtar do të zgjidhet dhe Kryesia e re, një forum i rëndësishëm në PD.

Kuvendi i PD nis ndryshe, Basha kërkon 1 minutë heshtje për jetët e humbura nga Covid

Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike ka nisur me 1 minutë heshtje për të gjitha viktimat që ka lanë pas Covid-19.

Ishte kreu i PD, Lulzim Basha, ai që në hyrje të fjalës së tij para delegatëve kërkoi 1 minutë heshtje duke thënë se në vend është një bilanc tragjik nga jetët e humbura për shkak të Covid.

Të dashur demokratë dhe demokrate, të dashur mbështetës e simpatizantë, të nderuar anëtare dhe anëtare, të dashur bashkëqytetarë, të rinj dhe të reja, jam krenar që ndodhem mes jush në këtë sallë që e lartësoni dhe e zbukuroni me mbështetje. Ju ftoj që të mbajmë një minutë heshtje për jetët e humbura për shkak të COVID-19.

Zoti iu dhëntë paqe shpirtrave të tyre dhe iu dhëntë forcë familjeve të tyre. Një bilanc tragjik që bëhet edhe më pikëllues prej indinjatës, ku lotëve të familjarëve, iu kundërvihet propaganda e qeverisë. Kur shqiptarët kishin nevojë për ndihmë, iu ofruan gjoba.”- tha Basha.

Basha në Kuvendin Kombëtar: PD doli më e fortë dhe më e bashkuar

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar të PD është shprehur se PD ka dalë më e fortë nga zgjedhjet e 25 Prillit.

Basha para delegatëve tha se  se të gjithë demokratët luftuan me mish e me shpirt  për të ndezur shpresën në Shqipëri

Edhe pse 25 Prilli nuk kishte lidhje me demokracinë, edhe pse çdo padrejtësi që mund të bëhej, u bë për të penguar ndryshimin, ne dolëm më të fortë dhe më të bashkuar, sepse të gjithë bashkë luftuam me mish dhe me shpirt për të ndezur besimin dhe shpresën e njerëzve se një Shqipëri më e mirë është e mundur.

Jo duke përdorur mjetet dhe modelin e Edi Ramës, por duke e përbuzur dhe refuzuar atë. Ne nuk hoqëm dorë nga mjetet e ndershme për të bërë politikë. Nuk u stepëm nga propaganda e shtrenjtë dhe meskine e regjimit, as nga llumi i krimit që sot është garniturë e një kryeministri ilegjitim, as nga oligarkët që si shushunja i janë turrur trupit të drobitur të Shqipërisë.

Ne luftuam dhe besuam, sikurse ende besojmë, se mund t’i ndryshojmë gjërat në këtë vend pa u bërë më të këqij, më të pabesë dhe më të korruptuar se Edi Rama”, tha ndër të tjera Basha.

Kuvendi Kombëtar, Basha: 25 Prilli garë e pabarabartë, PD kishte programin më të mirë në 30 vite

Në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka kujtuar programin me të cilin garoi në zgjedhjet e 25 Prillit, duke thënë se ka qenë më i miri i hartuar në 30 vvitet e demokracisë në Shqipëri.

Kreu i PD u shpreh se  gara në 25 Prill ishte e pabarbartë dhe shtoi se programi i PD ishte i detajuar për çdo sektor.

Të gjithë bashkë hymë në këtë betejë të pabarabartë, me programin më të mirë të hartuar në historinë e këtyre 30 viteve, fryt dhe prodhim i ekspertëve më të aftë të vendit dhe bashkëpunimit me institutet dhe institucionet prestigjioze të Perëndimit.

Fryt i viteve të punës së bazuar mbi studime të gjendjes reale që e kemi prekur bashkë shtëpi më shtëpi, fshat më fshat, qytet më qytet, sipërmarrje në sipërmarrje me të gjitha grupet e interesit, në bashkëpunim të thellë dhe të hapur me të gjithë grupet shoqërore,  me të papunët, me fermerët, me sipërmarrjen e vogël, me sipërmarrësit e mëdhenj, me prodhuesit, me eksportuesit, me mjekët dhe personelin shëndetësor, me arsimtarët, pedagogët dhe studentët, artistët dhe intelektualët, me elitën e mendjes dhe shpirtit të këtij vendi,  me personat me aftësi të kufizuara, me të përndjekurit politikë dhe shoqatat e pronarëve që u bashkuan për herë të parë ndër vite me përfaqësuesit e tyre në selinë e Partisë Demokratike përmes programit tonë.

Një program i detajuar, me angazhime konkrete, për çdo sektor të shoqërisë, që vendosi gishtin tek plagët e shumta të vendit, që ofronte zgjidhje për të çliruar potencialin e çdo shqiptari, që çlironte dhe zhvillonte potencialin e Shqipërisë, të ndrydhur, të mpakur, të boshatisur, të ngecur në vendnumëro në 8 vite nga një fatkeqësi kombëtare që e quan veten qeveri.

Një program që ka në qendër familjen shqiptare, si shtylla e politikave tona; një program që synon forcimin e shtresës së mesme, si motori i zhvillimit dhe i transformimit të shoqërisë, sepse një shtresë e mesme e fortë është garante e stabilitetit ekonomik dhe politik të vendit”, u shpreh Basha.

Basha fton kritikët: Dora ime do të mbetet gjithmonë e shtrirë, por s’duhet të mendoni se…

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka kërkuar bashkim dhe jo përçarje. Nga Kuvendi Kombëtar  i Partisë Demokratike, Basha ftoi të gjithë kritikët e tij që të lënë mënjanë inatet personale dhe të bashkohen bashkë.

Sipas tij PD tregoi se është një forcë e madhe dhe nuk gjunjëzohet nga asgjë dhe shtoi se dora e tij do të mbetet e shtrirë për këdo që është larguar nga partia.  

Unë kam edhe një thirrje për të gjithë ata që janë larguar nga familja jonë politike. Unë ju them atyre se nëse keni dëshirë të jepni kontributin tuaj, apo të ktheni besimin e demokratëve që ju kanë ndër vite, jeni të mirëpritur.

Dora ime do të mbetet gjithmonë e shtrirë. Nëse doni t’i bashkoheni aksionit tonë dhe vlerave tona, por kurrë më nuk duhet ta mendoni se unë do t’u kthej më faqen tjetër, që ju të abuzoni me sakrificat e demokratëve për t’i përkthyer ato në përfitime të përkohshme”, tha Basha.

“PD është shpresa e vetme për shqiptarët”, Basha: Ejani me ne në këtë rrugëtim për demokracinë

Lulzim Basha në Kuvendin Kombëtar tha se Partia Demokratike është e vetmja forcë politike që mund të kthejë shpresën e tek qytetarët.

Në fjalën e tij Basha kërkoi që të gjithë që të bashkohem me të dhe të kthehet shresa tek qytetarët.

“Ne jemi të përkushtuar ndaj angazhimeve tona më shumë se kurrë, dhe nuk do të ndalojmë së luftuari për qytetarët e Shqipërisë,  derisa t’i bëjmë ato realitet. Sepse ambiciet e shqiptarëve kanë qenë përherë ambiciet tona. Partia Demokratike ka hedhur themelet e të gjitha proceseve modernizuese në këto tre dekada.

Me vetëdije, vullnet dhe sakrifica kemi ndryshuar trajektoren historike të Shqipërisë, duke shënuar arritjet më domethënëse që kanë ndryshuar për mirë jetën e njerëzve

Nga rrëzimi i komunizmit dhe sjellja e demokracisë, tek futja në Këshillin e Europës dhe anëtarësimi në NATO, nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe heqja e vizave, tek marrja de facto e statusit kandidat, nga zhvillimi ekonomik dhe sjellja e investimeve të huaja, tek zhvillimet në infrastrukturë, dyfishimi i pensioneve dhe i rrogave në shumë sektorë.  

Të gjitha këto arritje nuk mbajnë rastësisht vulën tonë, por janë produkt i fuqisë jetëgjatë të ideve tona, të sakrificave dhe vendosmërisë së papërkulshme të të gjithë demokratëve shqiptarë.

Ndaj, nga ky kjo tribunë, nga ky takim demokratësh, nga më i vjetri tek më i riu, si njerëz të lirë dhe ballëlartë që me zemër dhe kurajo sfiduan hordhitë e partisë shtet, krimit dhe oligarkisë,

të vetëdijshëm për barrën e rëndë që kemi mbi supe si e vetmja shpresë për shqiptarët që kërkojnë ndryshim, mesazhi ynë është fare i qartë: Ejani me ne! Ejani me ne në këtë rrugëtim për demokracinë! Ejani me ne në këtë rrugëtim që do tua kthejë Shqipërinë shqiptarëve!”, tha Basha.

Kuvendi Kombëtar miraton ndryshimet e propozuara nga Basha për statutin e ri

Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike ka miratuar sot ndryshimet e propozuara nga Lulzim Basha për statutin e ri.

Mësohet se Kuvendi nuk ka pasur kritika për këto ndryshime dhe i ka miratuar në bllok.

Përmes këtyre ndryshimeve synohet zgjerimi i kryesisë, Këshillit Kombëtar, shtimin e sekretariateve dhe atë të nënkryetarëve.

Tashmë në Kuvendin Kombëtar të PD do të votohet për Këshillin e ri Kombëtar, ku delegatët do të zgjedhin 300 anëtarët e rinj.

Berisha mesazh demokratëve: Të mos jemi të dëshpëruar

Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur pas votimit në Këshillin Kombëtar të PD. Përpara mediave Berisha tha se demokratët sot nuk duhet të jenë të dëshpëruar, pasi janë mbi 710 mijë persona që kërkuan ndryshimin dhe vota e tyre nuk u vodh.

Për sa i përket 25 Prillit, Berisha u shpreh se ishin zgjedhje në një narkoshtet, por kërkoi nga të gjithë demokratët që të mos lënë asnjë gur pa lëvizur për të përmbysur atë që ai e quan regjimin e Edi Ramës.

“Pra nuk ka diskutim që këto ishin zgjedhje të një regjimi mafioz dhe të një narkoshteti, por detyra e çdo demokrati është një betim solemn për të mos lënë gur pa kthyer dhe përpjekje pa bërë për të përmbysur sa më shpejt narkoshtetin e vetëm në Evropë.

Ky narkoshtet duhet të ketë orët e numëruara dhe natyrisht opozita është sot jo në një situatë të favorshme. Por opozita ka mbi 700 mijë anëtarë që nuk iu grabit dot vota. Ndaj duhet t’i shihni gjërat në kompleks, e sigurt është që çdo demokrat dhe çdo opozitar do të thotë fjalën e tij fuqishëm.

Këto janë të gjitha probleme, ajo që them unë është kjo. Thirrja ime është jo dëshpërim, se jemi 710 mijë, jemi një armatë e fuqishme, mjafton që të vendosemi dhe të përballemi me regjimin më të urryer pas Enver Hoxhës”, tha Berisha.

“Non grata në SHBA”, Berisha: Po vazhdoj betejën ligjore, mezi po pres të shkoj në Kuvend

Ish-Kryeministri Sali Berisha është shprehur sot se mezi po pret që të shkojë në Kuvend në Shtator. Në një deklaratë për mediat pasi votoi për Këshillin e ri Kombëtar, tha se ai është një themeluesit e pluralizmit në Shqipëri.

Mezi po pres, mos harroni se jam një nga themeluesit e pluralizmit në Shqipëri”, tha Berisha.

Më tej ka komentuar edhe njëherë vendimin e Departamentit të Shtetit për shpalljen e tij ‘non grata’ dhe tha se beteja ligjore po vijon.

Beteja ime ligjore po ecën dhe ju e kuptoni se procedurat nuk janë emergjente dhe unë kam besim tek avokati im që mbarë Evropa ia njeh të gjitha meritat. Unë qëndroj i vendosur tek drejtësia, për hir të transparencës dhe u bëj thirrje të gjithëve që të sjellin një provë të vetme për ato që kanë shkruar. Ato shpifje që janë sajuar nga multimiliarderi Xhorxh Soros”, u shpreh Berisha.

Basha pas votimit në Kuvendin Kombëtar: Zgjidhen ata që do luftojnë çdo ditë për shqiptarët

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar pas votimit për Këshillin e ri Kombëtar. Në një postim në mediat sociale, Basha shkruan se demokratët sot do të zgjedhin ata që do të luftojnë çdo ditë për shqiptarët.

Më tej numri një i demokratëve shton se të gjithë janë të përkushtuar ndaj angazhimeve që kanë dhënë dhe do të luftojnë më shumë se kurrë më parë.

“Në këtë kohë përcaktuese për fatin e vendit, vota e çdo delegati merr një peshë të madhe duke zgjedhur përfaqësuesit që do të luftojnë çdo ditë për shqiptarët dhe që do të jenë çdo ditë pranë tyre.

Ata na dhanë një besim të jashtëzakonshëm për planet tona konkrete të të gjitha fushave: për ekonominë, për arsimin, shëndetësinë, punësimin, përballimin e kostos së jetesës, dhe kurimin e plagës së emigracionit.

Ne jemi të përkushtuar ndaj angazhimeve tona më shumë se kurrë, dhe nuk do të ndalojmë së luftuari për qytetarët e Shqipërisë, derisa t’i bëjmë ato realitet”, shkruan Basha./tvklan.al