Balla ironizon protestën: Berisha ia doli ta fundosë PD-në në shoqatë!
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar në lidhje me protestën e mbajtur këtë të hënë para Kryeministrisë. Ai ka publikuar një foto nga pjesëmarrja në protestë dhe akuzon kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berishën, se e ka kthyer këtë parti në shoqatë.
“Ia doli ta fundosë PD në shoqatë! Siç tha i madhi Besnik Çinari: ‘Kaq në Shkodër i çojmë krushq në dasëm’. Natën e mirë”, shkruan Balla.
Protesta e opozitës përfundoi 20 minuta para kohe
Është mbyllur më herët se pritej protesta e opozitës e zhvilluar këtë të hënë, më 17 nëntor. Ndonëse Partia Demokratike kishte kërkuar leje deri në orën 20:00, protesta u mbyll në orën 19:40.
Ish-kryeministri Sali Berisha falënderoi mbështetësit për pjesëmarrjen dhe njoftoi se foltorja e inauguruar sot do të kthehet në një takim javore për qytetarët dhe deputetët e opozitës.
Berisha mbyll protestën: Shihemi tek foltorja tjetër

Është mbyllur protesta e opozitës e zhvilluar këtë të hënë, më 17 nëntor, me fjalën e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili pasi falënderoi mbështetësit e tij për pjesëmarrjen, tha se do të rikthehen përsëri çdo javë në foltoren e inauguruar sot.
“Edhe njëherë mirënjohje të pakufishme, themelon kjo foltore atë lëvizje të fuqishme që do t’i japë këtij regjimi ndëshkimin që meriton. Prandaj, le të përshëndesim përzemërsisht dhe me mirënjohje të gjithë ata që morën pjesë dhe e ndoqën këtë foltore, e cila, ju garantoj, do të shndërrohet në një gur frymëzimi.
Kjo foltore unike në historinë e vendit do të realizojë bashkimin e shqiptarëve. Mirupafshim në foltoren tjetër në këtë shesh, gjer në fitore.”, tha Berisha.
Protesta Live
Elda Hoti: Minatorët e Spaçit, simbol i sakrificës shqiptare

Deputetja e Partisë Demokratike Elda Hoti, gjatë fjalës së saj në protestën e sotme, ngriti shqetësimin për minatorët e Spaçit në Mirditë, të cilët i konsideroi simbol të sakrificës së shqiptarëve, që sipas saj shteti u ka kthyer shpinën.
“Familjet mezi po mbijetojnë dhe pikërisht këtu, zonja dhe zotërinj, na del përpara shembulli i gjallë i kësaj padrejtësie. Minatorët e minierës së Spaçit në Mirditë. Këta burra të ndershëm e fisnikë që protestojnë për dinjitetin e mohuar, janë simbol i sakrificës shqiptare. Ata nuk kërkojnë lëmoshë, por ata kërkojnë drejtësi. Dhe kur një shtet u kthen shpinën atyre që kanë sakrifikuar çdo ditë në thellësinë e tokës, atyre që e kanë mbajtur mbi supe pasuritë e këtij vendi, atëherë ky nuk është më shteti i qytetarëve, por shteti i pushtetarëve. Zëri i Spaçit sot është zëri i çdo shqiptari që kërkon respekt dhe trajtim të barabartë. Unë nuk jam ekonomiste në profesion, por kjo nuk më pengon të kuptoj se çfarë do të thotë propaganda dhe çfarë do të thotë realiteti. Sepse shqiptari zgjohet çdo ditë me realitetin që propaganda mundohet ta fshehë. Secili prej jush sot këtu, por edhe çdo qytetar, është njohur ditët e fundit me retorikën e mazhorancës për buxhetin. Buxheti më i madh në histori, suksesi i reformave dhe ku di unë çfarë tjetër. Por askush nuk mund të thotë se çfarë përfitojnë qytetarët.”, tha Hoti.
Këlliçi-demokratëve: Jeni idealistët e fundit të mbetur në vend, do shpëtojmë bashkë Shqipërinë nga Rama
Në fjalën e tij, demokrati Belind Këlliçi, u bëri ftesë qytetarëve për t’iu bashkuar protestave të ardhshme të opozitës për rrëzimin e kësaj qeverie.
“Të dashur demorkatë qendrestarë, i keni dhënë provat se jeni idealistët e fundit të mbetur në vend, por i keni dhënë provat se shpëtuar një herë opozitën, e bashkë, do shpëtojmë Shqipërinë nga kjo e keqe e madhe që quhet Edi Rama dhe Belinda Balluku.
Ndaj, unë ju ftoj çdo javë, të vini këtu për të thënë të vërtetat e mëdha që nuk kanë kurajo, as njerëzit e kapur, as politikanët e kapur”, tha ai.
Berisha: Ramën e Ballukun, do i çojmë te Veliaj
Berisha rikujtoi protestat e mëparshme kundër kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe shtoi se tek ai “në burg”, opozita do të dërgojë edhe kryeministrin Edi Rama dhe zv.kryeministren Belinda Balluku.
“Gjysma e kaq sa jeni këtu, për 46 javë rresht, Erion Velinë, lali vjedhësin, e nisëm atje ku e ka vendin. Po ai ishte te bashkia. Këtë që kemi këtu, Lubinë (i referohet Ballukut) me Ramën, do t’i nisim te Erion Veliaj.”, tha Berisha.
“Më parë shpëtoi opozitën, sot…”, Berisha shpall misionin e radhës për foltoren
Berisha foli për rolin e foltores në ringritjen e opozitës dhe misionin e saj të ri.
“Foltorja me qytetarët e shpëtoi opozitën, e ktheu atë në forcë sovrane të shqiptarëve, e ktheu atë në një parti e cila u përball në rrugën e saj me pengesa më të papara, me represionin, me agresionin ndaj saj, por përsëri, sot ajo mblidhet në foltoren e dytë, foltorja që nuk ka më synim të shpëtojë opozitën, por ka mision të shpëtojë Shqipërinë nga regjimi i krimit.
Ndaj dhe për të kuptuar pak misionin, hapni sytë si e ka rrethuar me gardistë e ushtarë. Edvin, absolutisht je i pashpresë, fundi yt nga ky shesh do të vijë.
Të dashur miq, ne jemi në një regjim i cili dhunon votën e lirë, i cili shtyp opozitën, i cili në të vërtetë është i kalbur nga koka te këmbët, dhe nuk pritet gjë tjetër vetëm qëndrimi ynë, beteja jonë, vendosmëria jonë për ta arkivuar në histori këtë regjim që mendon se do mbahet në këmbë me skapin e partisë, me dhunë, terror, blerje, shitje e pazare. Por idealet janë ideale, janë forcë nukleare e njeriut dhe shoqërisë, së cilës asgjë nuk i reziston. Ndaj ju ftojmë në këtë mision të vazhdojmë betejën tonë si misionarë.”, tha Berisha.
Berisha akuza Ramës: Miliona për luks, asnjë qindarkë për pacientët
Në fjalimin e tij, Berisha akuzoi qeverinë për shpërdorim ekstrem të fondeve publike.
“Paratë i përdor ai për të blerë vetura superluksoze dhe super të kushtueshme, shishe vere 34 mijë euro, paratë i transporton ai me avionin e tij. Natyrisht, për të sëmurët nuk mbeten para, mbetet dënimi i asaj sëmundjeje. Ai u drejtohet duke u thënë se unë kam një eksperiencë të hidhur personale. Nuk ka pafytyrësi më të madhe se kjo që the ti, dhe unë uroj që ta kalojë, por ka marrë çdo mjekim që ekziston mbi tokë. Por i trajton si të njerkës; ke dhe pafytyrësinë të thuash se ke eksperiencë personale. Ke pafytyrësi personale. Ndaj kërkon ta mbyllësh parlamentin, sepse do që mos ta dinë qytetarët, por nëse do të kishe një eksperiencë personale, do të kishe një detyrim shumë herë më të madh për të bërë sa më shumë që çdo shqiptar, fëmijë e i rritur, të kenë të njëjtat ilaçe. Por ata për ty janë qenie inferiore, për t’u përçmuar, për t’u vjedhur dhe larguar.”, tha Berisha.
Atentati në Rinas, Berisha: Qëndrimet e narkoshtetit, mbyllja de facto e narkoparlamentit

Berisha përgjatë fjalimit të tij, u ndal tek disa ngjarje të ndodhura së fundmi, mes tyre dhe atentati i kryer në aeroportin e Rinasit.
“Miqtë e mi, po të ndalemi vetëm këtë javë, nuk ka javë që paraqet më qartë fytyrën e urryer të narkoshtetit shqiptar. Gjatë kësaj jave, skandalet më të mëdha, vjedhja nga Rama, Balluku, Lubia, e 90 mln eurove në tunelin e Llogarasë, vjedhja e 140 mln euro nga aeroporti i Vlorës, vjedhja e qindra milionë eurove në vepra të tjera. Kjo javë faktoi se kjo grehinë e kalbur po shkatërrohet, po shkërrmoqet e nuk pret asgjë tjetër, vetëm vrullin tonë, për ta fshirë nga historia.
Po këtë javë, në vendin më të sigurt të supozuar, masakra ku banda të qeverisë likuidon banda të tjera, por ajo që kulmoi në qëndrimet e narkoshtetit, ishte mbyllja de facto e narkoparlamentit. Edi Rama dhe banda e tij, të dalë nga grabitja e votës, kanë frikë dhe terr nga fjala e deputetëve të opozitës në kuvend, ndaj dhe ata zgjodhën, për t’u mbrojtur ndaj jush, të vendosin terrin, të vendosin bllokimin, errësirën në 10 seanca parlamentare, si kurrë në histori, në asnjë vend. Opozita u lejua të debatojë vetëm në një seancë, në 10 seanca parlamentare, qeveria e përbërë nga individë të lidhur këmbë e krye me krimin, e përbërë nga Lubia, e të tjerë, u votua për 28 minuta për të treguar se ajo ka frikë, tmerr nga ju.“












Botërori 2026 
