“Në kërkim nga Interpol pas skandalit të korrupsionit në Zimbabve”

Pas publikimit në mediat ndërkombëtare të lajmit për arrestimin e Ministrit të Shëndetësisë së Zimbabve për shkak të skandalit se qeveria i kishte dhënë 60 milionë dollarë kompanisë ‘Drax International’ ku aksioner ishte Ilir Dedja, Partia Demokratike kërkon nga SPAK-u që të nisë hetimet për biznesmenin shqiptar. Sipas opozitës Ilir Dedja është i njëjti person me Klodian Mërtirin, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli për korrupsion në Zimbabve.

“Mediat raportojnë se Klodian Mërtiri, i cili mban më shumë se 1 identitet, është shpallur në kërkim ndërkombëtar për skandalin e korrupsionit në Zimbabve, por në Shqipëri biznesi i tij, vazhdon i pacënuar”.

Por teksa biznesmeni Mërtiri sipas demokratëve është në kërkim ndërkombëtar për korrupsion, qeveria vazhdon ta paguajë miliona euro.

“Shqipëria nuk lufton dot korrupsionin as sa Zimbabve. Inceneratori i Tiranës merr çdo muaj nga buxheti i shtetit rreth 1 milionë euro,  ndërsa landfilli fiton disa miliona të tjerë nga depozitimi i çdo lloj mbetjeje të qarkut të Tiranës”.

Ndaj demokratët kërkojnë që edhe për Mërtirin të ndiqet i njëjti shembull si ai në Zimbabve.

“Në zemër të Afrikës, ministri i Shëndetësisë dhe një biznesmen vendas u arrestuan, pasi u verifikuan të përfshirë në një skandal korrupsioni 60 milionë dollarë me shqiptarin e inceneratorit të Tiranës, Klodian Mërtiri. Policia duhet të japë shpjegime publike, nëse një nga pronarët me letra i inceneratorit dhe landfillit  të Tiranës është apo jo në kërkim ndërkombëtar, siç raportojnë mediat dhe çfarë ka bërë policia për ta arrestuar?Nëse ajo që raportojnë mediat është e vërtetë, pse prokuroria në Shqipëri nuk nis asnjë hetim për aktivitetin në Shqipëri të biznesmenit të dyshimtë”?

Sakaq në mediat e huaja qarkullon një foto, pas nënshkrimit të kontratës me zyrtarin afrikan, ku personi në rreth identifikohet si Ilir Dedja, por që sipas të njëjtave media është pikërisht Klodian Mërtiri.

Por vetë Mërtiri përmes një deklarate për mediat ka hedhur poshtë që ai të jetë Ilir Dedja, duke sqaruar se fotografitë e publikuara në media nuk kanë lidhje me kontratën e përfolur në Zimbabve dhe se ato janë përdorur qëllimisht për të krijuar skandal dhe dëmtuar reputacionin e tij. Në foto shfaqet edhe ish-deputeti i PD, Gert Bogdani, i cili nuk ka bërë asnjë koment deri tani për prezencën e tij në këtë takim.

Tv Klan