Partia Demokratike e Kosovës ka vazhduar edhe të hënën aksionin e saj para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar hyrjen në shenjë proteste ndaj mosvazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.
Deputetja e PDK‑së, Eliza Hoxha, tha se qëllimi i aksionit është t’i kërkohet kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të kthehet në Kuvend dhe të kontribuojë në konstituimin e tij.
Hoxha kërkoi nga Kurti që, në vend të bllokimit të Kuvendit, të marrë pjesë në seancën konstituive dhe të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Sipas saj, asnjë subjekt politik nuk mund të jetë mbi shtetin dhe Kushtetutën e Kosovës.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar sërish konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë, ndërsa është shprehur e gatshme të kontribuojë për çështjen e presidentit aty ku Vetëvendosje nuk i ka numrat.
Një ditë më parë, kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, njëherësh deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, ka bërë thirrje për dialog dhe marrëveshje mes partive, pasi sipas tij, vazhdimi i seancës konstituive pa marrëveshje mund ta tensionojë edhe më tej situatën.
Deri tani, deputetët janë ftuar dy herë për ta konstituuar legjislaturën e dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit, por kryeministri në detyrë Kurti ka kërkuar kohë shtesë për dialog për çështjen e presidentit.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 