Partia Demokratike e Kosovës bën thirrje që ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara të miratohet në Kuvend përpara 6 tetorit, datë që është edhe afati i fundit i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, tha se projektligji nuk duhet të lidhet me votimin e presidentit.
“Ligji është mbi secilin kalkulim politik. Presidenti është konsensus politik, vullnet politik i subjekteve politike. Po, ligji e tejkalon këtë, ligji është obligim kombëtar i yni, obligim për gjakun e dëshmorëve, obligim për gjeneratat që kanë ardhur”, tha kryetari i grupit parlamentar të PDK, Arian Tahiri.
Ndërsa deputeti Përparim Gruda tha se edhe pse Qeveria ka 30 ditë për të dhënë mendimin për projektligjin, por Kuvendit i kanë mbetur vetëm shtatë ditë për ta trajtuar atë.
“Nuk mund Kuvendi të mbetet peng i një zyre administrative. Ne mendojmë që është e mundur që në shkallë të tretë përmes këtij ligji të garantohet një gjykim në Kosovë, sepse nuk mund të kemi dy sisteme paralele juridike, një në Kosovë për krime lufte dhe një në Hagë, ku qytetarët e të njëjtit shtet trajtohen në mënyra të ndryshme. Dhe në këtë mënyrë ne mendojmë, jemi të bindur në fakt, që përmbushim detyrimin ndërkombëtar për të vazhduar me ekzistencën e Gjykatës Speciale”, tha deputeti i PDK, Përparim Gruda.
Por nga qeveria Kurti jepen sinjale që me përparësi e kanë zgjedhjen e presidentit me 6 tetor, me qëllim që të shmangen sërish zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa si afat i dytë vjen ligji për Specialen.
“Kemi të bëjmë me afate konçize, kemi të bëjmë me presion, por edhe një herë po e ripërsëris: emëruesi i përbashkët për interesin e përgjithshëm të Republikës është mosshkuarja në zgjedhje. Do të thotë gjetja e zgjidhjeve dhe këto mund të përcaktohen, programohen njëpasnjë me hapa të kujdesshëm, me mirëbesim në mes të palëve, natyrisht që të gjithë e kemi qëllimin e njëjtë”, tha ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila.
PDK-ja e dorëzoi projektligjin në Kuvend më 21 shtator, pesë ditë pasi Dhomat e Specializuara dënuan me gjithsej 81 vjet burgim katër ish-udhëheqës të UÇK-së: Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.
Lideri i PDK-së, Bedri Hamza ka lënë të hapur zhvillimin e negociatave me Kurtin për me qëllim gjetjen e një emri konsensual për presidentin e ri.
Deri më tani, kur kanë mbetur edhe një 1 javë nga afati i 6 tetorit nuk është zhvilluar asnjë negociatë.
/tvklan.al












Botërori 2026 