Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez ka kërkuar ndjesë publike ndaj qytetarëve spanjollë pas një skandali korrupsioni që çoi në dorëheqjen e një prej bashkëpunëtorëve të tij më të afërt në Partinë Socialiste (PSOE).

Në një konferencë për shtyp nga selia qendrore e PSOE-së në Madrid, Sánchez pranoi se kishte gabuar duke i besuar sekretarit të partisë së tij, Santos Cerdán, i cili është thirrur të dëshmojë në Gjykatën e Lartë më 25 qershor, pasi dyshohet se ka vepruar në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë për dhënien e kontratave publike në këmbim të përfitimeve financiare.

“Nuk ekziston korrupsioni zero, por duhet të ketë tolerancë zero ndaj tij”, tha Sánchez, duke shtuar se i kërkon falje popullit spanjoll për besimin e gabuar ndaj Cerdán.

Cerdán, i cili deklaroi se do të tërhiqet për t’u mbrojtur në gjykatë, këmbënguli se nuk ka kryer kurrë asnjë krim dhe as nuk ka qenë bashkëpunëtor në ndonjë të tillë.

Pavarësisht se nuk është i përfshirë personalisht në çështje, Sánchez ndodhet nën presion të madh politik, veçanërisht nga opozita konservatore dhe nga partnerët e tij të koalicionit.

Lideri i Partisë Popullore, Alberto Núñez Feijóo, kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit.

“Korrupsioni është tashmë shenjë identifikuese e kësaj qeverie dhe kjo duhet të marrë fund”, tha ai.

Ndërkohë, zëvendëskryeministrja Yolanda Díaz nga koalicioni Sumar tha se edhe ajo kërkon shpjegime të qarta për rastin.

Pavarësisht trysnisë, Sánchez theksoi se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe se qeveria do të vijojë mandatin deri në vitin 2027.

Hetimi i Gjykatës së Lartë është bazuar në një raport të detajuar të njësisë operative të Gardës Civile, e cila përfshin prova që sugjerojnë bashkëpunim të ngushtë midis Cerdán, ish-ministrit të Transportit José Luis Ábalos dhe ish-këshilltarit të këtij të fundit, Koldo García.

Raporti përmban edhe regjistrime audio të bëra nga García për një periudhë katërvjeçare, ku flitet për pagesa që mendohet të kenë arritur vlerën e 620 mijë eurove.

Ábalos, i cili ishte shkarkuar në një riformatim qeveritar në vitin 2021 dhe dha dorëheqjen nga PSOE në fillim të vitit 2024, është thirrur gjithashtu për të dëshmuar. Ai mohon çdo përfshirje në çështjen e korrupsionit.

Në fund të deklaratës së tij, Sánchez theksoi se do të vazhdojë të punojë për “politikë të pastër dhe rinovim demokratik”, duke akuzuar opozitën për një fushatë të qëllimshme për të dëmtuar qeverinë.

Kujtojmë se para disa ditësh Dhjetëra mijëra protestues u mblodhën në qendër të Madridit për të kërkuar zgjedhje të parakohshme dhe për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë socialiste të kryeministrit Pedro Sánchez./tvklan.al