Joshua Wong, një nga figurat më të njohura të lëvizjes pro-demokracisë në Hong Kong, është dënuar me 10 vite burg për bashkëpunim me forca të huaja, në bazë të ligjit të sigurisë kombëtare të vendosur nga Pekini. Vendimi e zgjat edhe më tej qëndrimin e tij në burg, ku ai ka kaluar tashmë gjashtë vitet e fundit për shkak të aktivizmit politik.

Aktivisti 30-vjeçar u shpall fajtor për bashkëpunim me aktivistë të tjerë, përfshirë Nathan Lau, me qëllim lobimin për vendosjen e sanksioneve dhe bllokadave ndërkombëtare ndaj Kinës. Sipas prokurorisë, këto veprime janë kryer nga korriku deri në fund të nëntorit 2020. Uong, i cili ishte një nga themeluesit e partisë pro-demokracisë Demosisto, kishte pranuar akuzat në shtator. Një pjesë e dënimit të ri, dy muaj e dy ditë, do të llogaritet njëkohësisht me dënimin që ai po vuan aktualisht.

Uong ishte arrestuar edhe më parë për angazhimin e tij në protestat kundër rritjes së kontrollit të Pekinit mbi Hong Kongun. Ai u bë i njohur që në moshën 14-vjeçare, kur themeloi grupin studentor Scholarism, i cili organizoi protesta masive kundër planeve për futjen e edukimit patriotik të detyrueshëm në shkolla. Në vitin 2014, ai u shndërrua në një nga figurat kryesore të të ashtuquajturës Lëvizja e Çadrave, ndërsa më vonë vazhdoi aktivitetin politik përmes partisë Demosisto.

Ligji i sigurisë kombëtare u vendos në Hong Kong në vitin 2020, pas protestave masive pro-demokracisë, dhe që atëherë qindra aktivistë dhe qytetarë janë arrestuar në bazë të tij. Kritikët thonë se legjislacioni ka shërbyer për të shtypur kundërshtarët politikë dhe për të kufizuar autonominë e qytetit, ndërsa autoritetet kineze dhe ato të Hong Kongut argumentojnë se ai është i domosdoshëm për ruajtjen e stabilitetit.

Vendimi ndaj Uong ka shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare. Organizata Human Rights Yatch e cilësoi dënimin si mizor dhe të padrejtë, ndërsa aktivistja Frances Hui, mikeshë e Uong, tha se vendimi është pjesë e një goditjeje më të gjerë politike që synon të fshijë kontributin e një brezi të tërë aktivistësh.

Kreu i administratës së Hong Kongut, John Lee, përkundrazi, e cilësoi Uong dhe Nathan Lau si përgjegjës për dëmtimin e stabilitetit dhe prosperitetit të qytetit. Ndërkohë, dënimi më i rëndë i dhënë deri tani në bazë të këtij ligji mbetet ai ndaj ish-manjatit të medias Jimmy Lai, i cili u dënua me 20 vite burg për bashkëpunim me forca të huaja.

/tvklan.al