Rreziku akoma nuk është shuar i gjithi, por pjesa më e madhe e zjarreve në Shqipëri është shuar. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, njoftoi këtë të hënë se deri më tani vatra më e rrezikshme është ajo e Karaburunit, vend i cili digjet prej 7 ditësh. Peleshi tha se ushtria dhe pushteti vendor e kanë menaxhuar mirë situatën dhe në vend nuk ka viktima, të lënduar e as banesa të shkatërruara.

“Komandanti i bazës ka bërë një punë të mirë. Rrezikun e kemi akoma prezent do të vazhdojmë punën dhe shpresë që ta vendosim nën kontroll dhe ta fikim brenda pak orësh, le të themi brenda ditës së sotme. Ky nuk mund të jetë premtim pasi kushtet atmosferike janë të paparashikueshme sidomos në Karaburun. Ne e konsiderojmë deri më tani të menaxhuar me sukses. Deri më tani nuk kemi patur humbje jetësh, të lënduar, apo banesa të dëmtuara. Më afër kërcënimit të zjarrit kanë qenë banesat e Ksamilit dhe në fshat të Përmetit. Tani janë shuar. Kanë punuar 20 e ca efektivë të FA. Pushteti vendos ka patur edhe vullnetarë, kemi tejkaluar situatën e vështirë në 2 fshatra të Fierit. Në orët e para të mëngjesit është fikur edhe zjarri në Mamurras. E vetmja vatër serioze deri më tani ka mbetur Karaburuni duke përjashtuar disa vatra që nuk përbëjnë rrezik dhe problem. Këtu në Karaburun kemi shmangur prekjen e parkut të Llogarasë. Janë më shumë se 200 efektivë të FA. Kemi 60 fluturime të helikopterit. Puna njerëzore është e pazëvendësueshme. Atë punë që kanë bërë qindra forca të armatosura është e pazëvendësueshme. Në këtë zonë flakët kërcënuan edhe bazën tonë të Pashalimanit. Në asnjë rrethanë dhe me çdo çmim do ta mbronim bazën”, tha Peleshi.

Ministri shprehu ngushëllimet dhe solidarizimin me vendet fqinje, ku situata e zjarreve dhe moteve ka shkaktuar viktima dhe të lënduar./tvklan.al