Pavarësisht radikalizmit të aksionit opozitar dhe bllokimit të jetës parlamentare, mazhoranca do të vijojë normalisht aktivitetin e saj në komisione dhe kuvend.

Në udhëzimin e dhënë deputetëve socialistë nga mbledhja e grupit, Niko Peleshi ka kërkuar nga kolegët që të jenë të pranishëm në të gjitha komisionet parlamentare, teksa i cilësoi të dështuar skenarët e dhunës dhe të bojkotit nga ana e opozitës.

“Unë shpresoj që mos të shkojmë në skenar që janë provuar dhe më parë të pasuksesshëm si forcë politike. E kam fjalën këtu për bojkotin apo bllokime të natyrës së dhunshme por nuk do të aludoj. Shpresoj që mos të ndodhë kjo, ne do të vazhdojmë punën tonë.”

Peleshi nuk dha një përgjigje të prerë për kërkesën e demokratëve lidhur me ngritjen e një komisioni të së vërtetës, duke mos e paragjykuar propozimin e bërë.

“Do e shqyrtojmë kërkesën, nëse është brenda kuadrit ligjor dhe rregulloreve të Kuvendit. Por nuk kemi pse të paragjykojmë pa e parë më parë kërkesën.”

I pyetur nga media, kreu i grupit parlamentar të socialistëve, refuzoi të komentonte dënimin e dhënë nga gjykata me 1 vit heqje lirie ndaj deputetit demokrat, Ervin Salainji.

Tv Klan