Pema e zbukuruar është simboli i përhershëm i dekorimit të shesheve të qyteteve në vigjilje të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

Në çdo shtëpi, dyqan apo kafene pema e dekoruar me drita e zbukurime të tjera nuk mungon. Deri para pak vitesh këto pemë ishin bredha natyralë. Por gradualisht bredhat që mbuloheshin nga pambuku që simbolizonte flokët e borës, u zëvendësuan nga pemët artificiale plastike mbushur me drita. Madje në disa qytete pema nuk ka më as formën e bredhit, por është një konstruksion metalik në formën e një koni, i zbukuruar nga dritat. Madje së fundmi po merr hov edhe tendenca e vendosjes së pemës me kokë poshtë.

Ngjyrat dhe përmasat e tyre nuk i lënë hapësirë fantazisë, mjafton dëshira për të përshtatur me ambientin rrethues pemën e Vitit të Ri.

Edhe pse tregun e kanë pushtuar pemët artificiale, shitësit e dyqaneve tregojnë se ka ende besnikë të traditës për të pasur në shtëpi një bredh natyral.

Megjithatë ambientalistët mendojnë se pas masakrave që kemi bërë mbi pyjet, zëvendësimi i bredhave natyralë me ato artificial është një gjë e mirë.

Burimi: Klan Plus