“Nëse nuk e bëjmë operacionin, për 48 orë ti nuk je më; tani zgjidh e merr!”, ky ka qenë ultimatumi rrëqethës që mjekët italianë i dhanë Zamirës, duke e vënë përballë zgjedhjes.

Asaj i kishte mbetur vetëm 1% shpresë për të jetuar.

Shpëtimi i erdhi në mënyrë të mrekullueshme nga prindërit e një 28-vjeçari të ndjerë, të cilët pas një aksidenti tragjik vendosën të dhuronin mëlçinë e djalit të tyre.

Edhe pse operacioni mbartte rrezik maksimal, Zamira gjeti forcën për të sfiduar vdekjen dhe pranoi të futej në sallë me një qetësi të jashtëzakonshme.

Sot, në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty” në TV Klan, ajo e kujton atë moment kritik ku intuita dhe besimi i madh i dhanë sigurinë se do t’ia dilte mbanë.

Zamira: Shkova atje dhe më tha ‘Zamira ti je ai personi që do të bësh operacion kurrizin nga hernia diskale?’. ‘Po’, i thashë unë. ‘çfarë hernie diskale më tha mua, ti je në grykë të varrit’. Mëlçia jote ka marrë fund, kështu që ti duhet të shtrohesh me urgjencë në spital dhe nuk ke për të lëvizur këmbë nga spitali. Do e lëmë një herë hernien diskale, vetëm 1% jetë ke.’ Më shtruan te spitali te Siena. Ngaqë mëlçia nuk punonte më kisha mbledhur gati 14 litra ujë. Atje doktorët thanë që nuk se çfarë t’i bëjmë, në këtë gjendje që është, sepse është shumë rëndë. Pas një dite vjen dhe më merr mjeku, dhe më thotë nëse doja që të bëja transplantin e mëlçisë, sepse mëlçia kishte ardhur.

Ardit Gjebrea: Si e gjete?

Zamira: Një djalë, 28 vjeç kishte bërë aksident dhe mëlçia qëlloi e përputhshme me timen.

Ardit Gjebrea: E përputhshme me tëndet dhe prindërit e djalit vendosën që organet e djalit t’ua dhuronin atyre që kishin nevojë.

Zamira: Mjeku më tha që duhet ta vendosësh ti, sepse në gjendjen që je ti shëndetësore, ndoshta edhe nuk e përballon transplantin, sepse 1% kemi shpresë edhe po e bëmë, por edhe po nuk e bëmë për 48 orë ti nuk je më! Tani zgjidh e merr më thanë. Mua më erdhi mami, spese e mori vesh që do bëja transplantin. Erdhi me urgjencë me acion. Për mua si të iki sot, si të iki pas dy ditësh ishte e njëjta gjë. Thashë më shpresë të Zotit, po e bëj! Po shpëtova, faleminderit Zotit!

Ardit Gjebrea: Si ishte ai momenti para se të futeshe në operacion, kur ti nuk e dije nëse do të dilje gjallë apo jo?

Zamira: Isha shumë shumë e qetë! Shumë e sigurtë që do ia dilja. Me atë timen, që unë ndjeja brenda thoja do të shpëtoj.

/tvklan.al