Kriza ndërkombëtare mes Perëndimit dhe Iranit ka nxjerrë në pah tensione të forta edhe brenda aleatëve tradicionalë, veçanërisht mes Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Madhe.
Kryeministri britanik Keir Starmer u përpoq fillimisht të mbante një qëndrim të kujdesshëm, duke deklaruar para Parlamentit se Britania nuk do të përfshihej në një konflikt pa baza të qarta ligjore dhe pa objektiva të mirëpërcaktuara. Kjo deklaratë erdhi në fillim të marsit, menjëherë pasi kishte nisur ofensiva ushtarake izraelito-amerikane kundër Iranit.
Ky qëndrim shkaktoi reagim të ashpër nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili kritikoi publikisht jo vetëm Starmerin, por edhe aleatët e NATO-s, duke i quajtur “frikacakë”. Pavarësisht kësaj, për Londrën ishte e vështirë të qëndronte plotësisht jashtë konfliktit, për shkak të rolit të saj historik dhe pranisë së bazave strategjike nëpër botë.
Një nga pikat më të ndjeshme u bë ishulli Diego Garcia në Oqeanin Indian, një bazë ushtarake kyçe që përdoret nga SHBA-të. Së fundmi, baza ushtarake u bë objektiv i dy raketave me rreze të gjatë, të lëshuara nga Irani, në një sinjal të qartë paralajmërues ndaj Londrës. Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi deklaroi se Britania rrezikon jetët e qytetarëve të saj nëse lejon përdorimin e bazave për sulme kundër Iranit, duke e konsideruar atë bashkëpunëtore në agresion.
Nën presionin amerikan, qëndrimi i Starmerit filloi të zbutet. Së fundmi, Britania ka lejuar përdorimin e disa bazave ajrore, përfshirë atë në RAF Fairford, nga ku janë ngritur bombardues amerikanë të tipit B-1, si dhe pista në Diego Garcia për avionë të rëndë si B-52 dhe B-2. Qeveria britanike këmbëngul se bëhet fjalë vetëm për “operacione të kufizuara mbrojtëse”, por në praktikë dallimi mes operacioneve mbrojtëse dhe sulmuese mbetet i paqartë.
Historia e Diego Garcia-s është vetë një burim tensioni. Ishulli është pjesë e arkipelagut Chagos, i cili duhej t’i kalonte shtetit të Mauritius gjatë procesit të dekolonizimit në vitet ’60. Megjithatë, Britania e ndau atë territor dhe, në marrëveshje me SHBA-të në vitin 1966, e shndërroi në një bazë ushtarake strategjike. Banorët vendas u dëbuan me forcë, duke krijuar një konflikt ligjor që vazhdon ende sot.
Në vitin 2024, qeveria e Starmerit kishte rënë dakord për rikthimin e sovranitetit të ishujve te Mauritius, duke ruajtur njëkohësisht përdorimin ushtarak për 99 vjet. Fillimisht edhe Uashingtoni kishte dhënë miratim, por qëndrimi i Trump ndryshoi, duke e quajtur marrëveshjen “të gabuar” dhe duke bllokuar procesin.
Ndërkohë, tensionet në rajon mbeten të larta, veçanërisht për shkak të rëndësisë strategjike të Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kyçe për furnizimin global me energji. Çdo përshkallëzim i mëtejshëm mund të përfshijë shumë më tepër vende dhe të ketë pasoja të gjera për ekonominë botërore.
Në këtë situatë të ndërlikuar, Starmer po përpiqet të balancojë presionin amerikan, detyrimet ndërkombëtare dhe interesat kombëtare, por mbetet e paqartë për sa kohë mund të ruajë këtë ekuilibër të brishtë.
/tvklan.al












Botërori 2026 
