Kolegë magjistratë, avokatë dhe njerëz të ligjit i dhanë lamtumirën e fundit sot gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, i cili u vra të hënën në sallën e gjyqit teksa jepte drejtësi.
Të bërë bashkë nga secili rreth gjyqësor, njëri pas tjetrit, prokurorë e gjyqtarë nuk munguan në Pallatin e Kongreseve.
Pjesë e homazheve të mbajtura në Pallatin e Kongreseve u bë edhe politika.
Kryeministri Edi Rama, teksa vendosi një kurorë me lule, la dhe një shënim në librin e kujtimeve të hapur në nder të tij.
Gjithashtu homazhe bëri edhe Presidenti Bajram Begaj, ministri i drejtësisë, Besfort Lamallari, si dhe përfaqësues të opozitës.
Për mediat, aktorët kryesor të drejtësisë thanë se vrasja e tij është ngjarje që duhet të zgjojë gjithë institucionet.
“Gjendja në gjykatat shqiptare është e papranueshme, siguria është në nivelin zero. E them me bindje të plotë dhe nuk mund ta lejojmë një gjë të tillë. Gjyqtarët duan siguri që të japin drejtësi”, tha Sakol Sadushi, kryetari i Gjykatës së Lartë.
“Siguria në 99% të rasteve nuk i plotëson kushtet. Të gjitha gjykatat do të duhet të ndërtohen nga fillimi që të plotësojnë kushtet. Pa siguri të gjykatave nuk mund të ketë pavarësi të gjyqtarit në dhënien e vendimit”, tha Erion Bani, kreu i GJKKO.
“Kjo nuk është vrasje e gjyqtarit, por e gjithë sistemit të drejtësisë. Duhen marrë masa drastike”, tha Maksim Haxhia, kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Por, teksa drejtësia kërkon siguri, kreu i Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), ndryshe qeverisë së gjyqtarëve, shmangu komentet për përgjegjësinë e garantimit të sigurisë në gjykata.
“Ju keni punën tuaj dhe keni disa pyetje që janë shumë teknike. KLGJ ka folur nëpërmjet deklaratave të veta. Mos bëni pyetje teknike”, tha Ilir Rusi, kreu i KLGJ.
Trupi i gjyqtarit Astrit Kalaja do të prehet në qytetin e tij të lindjes, Shkodër, aty ku u dërgua pas homazheve.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 