Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu një hotel bregdetar në Republikën Dominikane, duke detyruar evakuimin e afro 1 mijë e 700 turistëve dhe punonjësve, por gjithashtu duke shënuar dhe një viktimë.
Sipas autoriteteve të emergjencës, viktima është identifikuar si Francesca Valentino, 46 vjeçe nga Italia, e cila ndodhej në hotelin Viva Wyndham Dominicus Beach Hotel në qytetin turistik Bayahibe, një nga destinacionet më të njohura në bregdetin e Karaibeve.
Tre persona u transportuan në spital për trajtim mjekësor, ndërsa gjashtë të tjerë morën ndihmë në vendngjarje. Mes të prekurve ishin turistë, vizitorë dhe pjesëtarë të ekipeve të emergjencës.
Pamjet e publikuara treguan re të dendura tymi të zi mbi vijën bregdetare, ndërsa flakët përfshinin pjesë të çatisë së resortit, e ndërtuar me materiale tradicionale prej gjetheve të palmës.
Sipas Emergency Operations Center (COE), zjarri u përhap me shpejtësi për shkak të materialeve shumë të ndezshme të përdorura në çati dhe erërave të forta.
“Vëzhgimet paraprake tregojnë se zjarri u përhap shpejt për shkak të natyrës së ndezshme të disa pjesëve të strukturës së çatisë, të ndërtuara me palma, si dhe për shkak të kushteve të motit”, njoftuan autoritetet.
Pas disa orësh përpjekjesh, zjarrfikësit arritën ta vinin situatën nën kontroll, ndërsa hetuesit vijojnë punën për të përcaktuar shkakun e shpërthimit të zjarrit.
Autoritetet deklaruan se të gjithë turistët u evakuuan në mënyrë të sigurt dhe u transferuan në struktura të tjera akomoduese në zonë.
Hoteli fqinj Viva Wyndham Dominicus Palace, që i përket të njëjtit grup hotelier, nuk pësoi dëmtime.
Zyrtarët u përpoqën të qetësonin turistët dhe operatorët turistikë, duke theksuar se ngjarja nuk ka ndikuar në aktivitetin turistik të rajonit.
“Aktivitetet turistike në Bayahibe dhe zonat përreth vazhdojnë normalisht dhe në kushte të sigurta”, deklaroi COE.
/tvklan.al












Botërori 2026 
