Përfundojnë 30 për qind të punimeve për segmentin e parë prej 8 kilometrash të bypass-it të Tiranës, i cili konsiderohet projekt i rëndësishëm infrastrukturor, që lidh korridoret kombëtare të vendit.

Teksa ndoqi nga afër punimet që po zhvillohen, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi shpjegoi pse ky projekt është ndër më strategjikët.

“Sepse bën ndërlidhjen ndërmjet korridorit Adriatiko-Jonian, Thumanë-Kashar dhe pastaj vazhdimin e Kashar-Lekaj, autostradës vijuese dhe po ashtu ndërlidhjen ndërmjet Tiranë-Durrës dhe autostradës së Elbasanit, duke bërë dhe shmangien e hyrjes në qytetin e Tiranës”, tha Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.

Kreu i ARRSH tha se përgjatë dy fazave të para, punimet kanë patur ecuri pozitive, teksa u shpreh optimist që projekti të përfundojë përpara afatit të parashikuar.

“Ecuria është mjaft pozitive. Këtu në këtë kontratë janë përfshirë disa vepra të ndryshme arti, kemi tombino, kanal kulluese, mure mbajtëse, të cilat janë prej betoni, por edhe me fasadë gabioni, ndërkohë që ka dhe një urë, me gjatësi 53 metra linearë, me tre hapësira dritë”, tha kreu i ARRSH, Ami Kozeli.

I gjithë segmenti i by passit të Tiranës do të ketë një prej 21 kilometrash dhe në projekt parashikohet ndërtimi i një rruge të kategorisë A.

/tvklan.al