Prej kësaj fundjave rruga Shëngjin-Velipojë do të jetë e hapur.

Nga 1 orë e 20 minuta që kërkonte më parë, kjo distancë prej 15 kilometrash nga sot mund të përshkohet në 20 minuta. Investimi ka nisur prej disa vitesh dhe ka një kosto 3.8 miliardë lekë.

“I zbulojmë shqiptarëve, por edhe turistëve një pjesëz të magjishme Shqipërie, që deri dje ishte e pa aksesueshme”, tha Rama.

Por banorët kërkojnë informacion dhe për aksin tjetër Milot-Balldren që do të lehtësonte trafikun kaotik në segmentin Lezhë-Shkodër.

“Shpresojmë dhe besojmë që në ditët e ardhshme më në fund do të përmbyllet i gjithë procesi dhe do të duhet të bëhet dhe shpallja e kompanisë fituese”, tha Rama.

Flet për vështirësitë që ka me palën malazeze segmenti tjetër qe lidh Milotin me kufirin e Malit të Zi.

“Nuk kemi pasur shumë sintoni me palën malazeze për urën. Vonesa, burokracira etj”, tha Rama.

Rama është akuzuar në mënyrë të përsëritur në 12 vite se ka bërë diferencim të investimeve mes veriut dhe jugut, por ai rendit emër për emër të gjithë projektet e rëndësishme në infrastrukturë që kanë ndikuar në turizmin malor që siguron se është miniera e arit e sektorit të turizmit.

“E kam vërtetë bezdi kur më thonë ca veriu e latë, investoni në jug. Po të shikoni investimet në zonën e veriut kuptoni pse ka zhvillim turizmi në veri”, tha Rama.

Ai flet për disa projekte për turizmin elitar që do të nisin shumë shpejt.

“Do tërheqin fuqinë e madhe të konsumit nga ana e kategorisë së turistëve që shpenzojnë shumë”, tha Rama.

E pikërisht në funksion të këtij lloj turizmi Rama thotë se do të ndihmojnë dhe investimet në energjetikë. Një prej tyre, ai për ndërtimin e nënstacionit të Velipojës që u inspektua nga kryeministri dhe pritet të përfundojë brenda këtij viti.

Tv Klan

/tvklan.al