Operatorët turistikë shpresojnë për një sezon më të mbarë turistik këtë verë si pasojë e përmirësimit të situatës së koronavirusit dhe ecuria e vaksinimit. Në Velipojë po bëhen gati për të pritur vizitorët.

Në Velipojë operatorët turistik po përgatiten për sezonin veror. Është viti i dytë që ata do të ofrojnë shërbime në kohë pandemie, por shpresojnë që këtë verë të ketë më shumë vizitorë nisur nga përmirësimi i situatës së Covid-19 dhe ecuria e vaksinimit në vend.

“Pandemia është në minimalen e rasteve dhe shpresojmë që kjo të ndikojë për mirë.”

Edhe në bashkinë e Shkodrës thonë se po punojnë për të patur një sezon të mbarë.

“Duke filluar që nga java e ardhme kompanitë të cilat janë të angazhuara në ofrimin e shërbimit të pastrimit do të fillojnë shërbimin me intensitet të shtuar duke shtuar frekuencën e mbledhjes së mbeturinave, duke rikonceptuar edhe shpërndarjen e pikave të grumbullimit të mbeturinave në këtë mënyrë duke përmirësuar dhe shërbimin”.

Këtë vit edhe promovimi i asteve turistike do të bëhet duke u përshtatur me pandeminë.

“Do të ketë një ditë që do i dedikohet çeljes së sezonit turistik me një fushatë online të çeljes së sezonit turistik”.

Bregdeti i Velipojës është një ndër më të frekuentuarit në veri të vendit. Janë kryesisht të ardhur nga Kosova ata që e zgjedhin këtë plazh për të kaluar pushimet.

Klan News