Të paktën 19 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në Nepal, pasi demonstratat kundër një ndalimi qeveritar të rrjeteve sociale u përshkallëzuan në përplasje mes protestuesve dhe forcave të sigurisë. Mijëra qytetarë iu përgjigjën thirrjes së demonstruesve që e identifikonin veten si “Gjenerata Z”, duke u mbledhur pranë ndërtesës së parlamentit në Kathmandu, për të kundërshtuar vendimin për ndalimin e platformave si Facebook, X (ish-Twitter) dhe YouTube.

Ministri i Komunikimit i Nepalit, Prithvi Subba, i tha BBC-së se policia ishte detyruar të përdorte forcë, përfshirë autobotë me ujë, shkopinjtë e gomës dhe plumbat prej gome. Qeveria ka deklaruar se platformat e rrjeteve sociale duhet të rregullohen për të luftuar lajmet e rreme, gjuhën e urrejtjes dhe mashtrimet online. Por platforma të njohura si Instagram kanë miliona përdorues në Nepal, të cilët i përdorin për argëtim, informim dhe biznes.

Demonstruesit mbanin pankarta me slogane si “mjaft është mjaft” dhe “fund korrupsionit”. Disa prej tyre thanë se po protestonin kundër asaj që e cilësuan si qasje autoritare të qeverisë. Ndërsa protesta u zhvendos në një zonë të ndaluar pranë parlamentit, disa protestues u ngjitën mbi murin rrethues.

Zëdhënësi i Policisë së Luginës së Kathmandu, Shekhar Khanal, tha se 17 persona janë vrarë në kryeqytet.

“Gaz lotsjellës dhe pompa uji u përdorën pasi protestuesit depërtuan në zonën e ndaluar”, tha Khanal për agjencinë e lajmeve AFP.

Një zëdhënës i zyrës së rrethit të Kathmandu tha se u vendos një orë policore në zonat përreth ndërtesës së parlamentit, pasi protestuesit tentuan të hynin brenda. Dy persona të tjerë u vranë në qytetin lindor Itahari, ndërsa protestonin pas shpalljes së orës policore, sipas policisë lokale. Zëdhënësi i Ushtrisë së Nepalit, Rajaram Basnet, i tha BBC-së se një njësi e vogël ushtarake ishte vendosur në rrugë pas hyrjes në fuqi të orës policore.

Javën e kaluar, autoritetet urdhëruan bllokimin e 26 platformave të rrjeteve sociale për shkak të mosrespektimit të afatit për t’u regjistruar pranë Ministrisë së Komunikimit dhe Teknologjisë së Informacionit të Nepalit. Që nga e premtja, përdoruesit kanë hasur vështirësi në aksesimin e platformave, megjithëse disa po përdorin VPN për të anashkaluar ndalimin. Deri tani, dy platforma janë riaktivizuar pasi u regjistruan pranë ministrisë pas ndalimit. Qeveria e Nepalit ka argumentuar se nuk po ndalon rrjetet sociale, por po përpiqet t’i përshtasë ato me ligjin nepalez.

/tvklan.al