Mediat spanjolle publikojnë detaje të tjerë për skandalin e trukimeve në Spanjë. Gazeta El Mundo ka publikuar disa regjistrime ku provohet se ndeshja e javës së fundit të kampionatit spanjoll mes Valencias dhe Valladolid ka qenë e trukuar.

Sipas përgjimeve të kryera nga policia, rezulton se 7 lojtarë të Valladolit kishin rënë dakord që t’i jepnin fitoren kundërshtarëve, si në pjesën e parë ashtu edhe në të dytën.

Në fund, ndeshja u mbyll 2-0 në favor të Valencias, me nga një gol për secilin fraksion të lojës. Sipas asaj që shkruajnë mediat spanjolle, ish-futbollisti i Real Madrid, Raul Bravo që është edhe një nga krerët kryesorë të organizatës, është takuar me futbollistin e Valladolid, Borja Fernández për të mbyllur marrëveshjen për fiksimin e rezultatit.

“Valencia fiton pjesën e parë, e qartë??? Fiton edhe të dytën, jemi dakord???” Këto kanë qenë fjalët që janë shkëmbyer mes palëve para fillimit të ndeshjes. Në kompanitë e basteve ishin vënë nga 10 deri në 20 mijë euro, që Valencia do të fitonte si në pjesën e parë, ashtu edhe në të dytën. Policia po vijon hetimin dhe në vazhdim pritet që të kemi të tjera detaje.

Tv Klan