Profesioni i mësuesit po tërheq përherë e më pak të rinj, e për pasojë shkollat në vend kanë mungesë të arsimtarëve. Të diplomuarit në shkenca arsimi në harkun kohor të 5 viteve thuajse janë përgjysmuar. Rënia më e madhe vërehet tek të diplomuarit meshkuj.

Nevruz Kaptelli, Kreu i Sindikatës së Pavarur të Arsimit: Kjo ka disa arsye edhe sepse meshkujt emigrojnë më shumë. Por ajo që na shqetëson ne është se profesioni i mësuesit po bëhet i padëshiruar nga të rinjtë dhe arsyeja kryesore është paga në arsim. Janë mbyllur disa nga degët e mësuesisë.

Arsimi parauniversitar në Shqipëri ka nevojë për rreth 2 mijë mësues. Në një përgjigje për Tv Klan, Ministria e Arsimit pohon se mungesat më të mëdha ndihen kryesisht në veri të vendit në zonat e thella malore.

Në të dhënat e portalit mësues për Shqipërinë vëmë re se Zyra Vendore Arsimore Dibër ka nevojat më të mëdha, pasuar nga Tirana që kërkon 202 mësues.

Të ndarë sipas profileve, më së shumti kërkohen mësues special për fëmijët me aftësi të veçanta, pasuar nga kërkesat për mësues të fillores, ato të Anglishtes, Aftësimit fizik si dhe Matematikës.

Përveç dyfishimit të pagave, Sindikata e Arsimit sugjeron reformim të fakulteteve të mësuesisë.

Nevruz Kaptelli, Kreu i Sindikatës së Pavarur të Arsimit: Të përgatisin mësues me një formim të përgjithshëm, një mesues për lëndët shoqërore dhe një për shkencore. Sepse e ka të pamundur shteti që të çojë në zonat rurale mësues për çdo lëndë kur atje janë 4, 5 nxënës.

Sipas INSTAT për këtë vit akademik në Shkenca Arsimi janë regjistruar 6.840 studentë, gati 7% më pak se një vit më parë.

Tv Klan