Kroaci-Shqipëri parashikohet një përballje e fortë. Të dy skuadrat vijnë nga humbja në ndeshjet e para me më të fortat e Grupit B dhe në takimin e orës 15.00 që do të transmetohet në Tv Klan, do të kërkojnë minimalisht të mos humbin dhe të ruajnë momentin e dobët për të goditur njëra-tjetrën.

Kroatët e kanë studiuar Shqipërinë e Sylvinho por janë krenarë dhe të bindur se do të kenë sukses ndaj kuqezinjve.

“Pika më e fortë e Shqipërisë është skuadra. Keni bërë mirë në kualifikuese, jeni të fortë, por edhe ne jemi Kroacia. Do të jetë një atmosferë e bukur, pasi ka shumë kroatë që jetojnë në Gjermani, ashtu si edhe shqiptarë. Në këtë ndeshje ajo që ka rëndësi është vetëm fitorja. Një ekip nëse humbet, 99% ka përfunduar. Do të përpiqemi të luajmë lojën tonë, për të marrë një rezultat pozitiv”, thotë futbollisti kroat Ivan Perisiç.

Perisic tregohet i rezervuar të tregojë se sa i njeh lojtarët e kombëtares shqiptare.

“I njoh lojtarët shqiptarë. Kam luajtur me Manajn në Itali. Shqipëria është një skuadër e re, e fortë dhe ata kanë dëshirë që të bëjnë diçka të rëndësishme në Europian”.

Kroacia është një nga skuadrat që ka treguar ambicie të mëdha në finalet e eventeve të mëdha futbollistike. Në Botërorin e Rusisë ishte në finale. E treta në Botërorin e ‘98 dhe të 2022, finaliste në Nations League në 2023.

Tv Klan