Për banorët e Rripit të Gazës, ky 7 tetor, që shënon 2-vjetorin e sulmit të Hamasit në jug të Izraelit, ku u vranë gati 1,200 izraelitë dhe u morën peng 251 të tjerë, nisi me raketa mbi kokat e tyre, si çdo ditë gjatë këtyre dy viteve të luftës së Izraelit që pasoi atë ngjarje.

Në Izrael, që me lindjen e diellit, dhjetëra qytetarë dhe të afërm të viktimave të sulmit vizituan zonën pranë kufirit me Rripin e Gazës, ku militantë të Hamasit hynë dhunshëm para 2 viteve, duke masakruar, përdhunuar e vrarë mbi 300 pjesëmarrës në një koncert. Aty është ngritur një memorial me fytyrat e viktimave të asaj dite.

Ajo ngjarje shënoi nisjen e sulmit brutal hakmarrës izraelit kundër Hamasit dhe për lirimin e pengjeve, që për dy vite ka vrarë më shumë se 67 mijë palestinezë dhe ka rrafshuar thuajse plotësisht Rripin e Gazës. Fundi i luftës duket më pranë se kurrë me planin e paqes të Donald Trumpit.

Bisedimet me Hamasin një ditë më parë në Egjipt u përmbyllën me frymë pozitive. Vetë presidenti amerikan Donald Trump tha se organizata palestineze kishte pranuar gjëra shumë të rëndësishme për vënien në zbatim të kësaj marrëveshjeje.

Tv Klan

/tvklan.al