Automjetet ushtarake, ushtarët,  liderët botërorë dhe veteranët e luftës përkujtuan në Normandi, 80-vjetorin e fillimit të çlirimit te Europës Perëndimore nga nazizmi .

Rreth 200 veteranë, shumica prej tyre amerikanë dhe britanikë, ishin të pranishëm në ceremoni gjatë gjithë ditës në zonat detare që ende mbajnë gjallë plagët e luftës .

Shumica e veteranëve mbi 100 vjeç, kjo ceremoni që i nderon ata ka të ngjarë të jetë e fundit në këto përmasa në Normandi.

Presidenti i SHBA Joe Biden, Presidenti francez Emmanuel Macron, Mbreti i Britanisë Charles dhe Mbretëresha Camilla, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe shumë lider botërorë morën pjese në përkujtimin e kësaj ngjarjeje.

Mbreti Charles III u shpreh se aleatët 80 vite më parë u përballën me provën më supreme.

Mbreti Charles III: Sa me fat ishim ne dhe e gjithë bota e lirë, që një brez burrash dhe grash edhe nga vende të tjera aleate nuk u zmbrapsën kur erdhi momenti për t’u përballur me atë provë. Me ndjenjën më të thellë të mirënjohjes i kujtojmë ata dhe të gjithë ata që shërbyen në atë kohë kritike. Ne kujtojmë mësimin që na vjen përsëri gjatë dekadave: “Kombet e lira duhet të qëndrojnë së bashku për të kundërshtuar tiraninë”.

Presidenti francez Emmanuel Macron u tha veteranëve se Franca nuk do ta harrojë kurrë betejën e tyre për të çliruar Francën dhe Evropën nga nazistët. Ndërsa Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden u kërkoi fuqive perëndimore që të mbështesin Ukrainën dhe të mos dorëzohen para tiranisë ruse.

Joe Biden, Presidenti i SHBA-ve: Shtetet e Bashkuara dhe NATO dhe një koalicion prej më shumë se 50 vendeve që mbështesin fort  Ukrainën, nuk do të tërhiqen, sepse nëse e bëjmë, Ukraina do të nënshtrohet dhe kjo nuk do të përfundojë me kaq. Fqinjët e Ukrainës do të kërcënohen, dhe e gjithë Europa po ashtu .

E teksa tani në moshë të thyer, shumë prej tyre me karrige me ngritën zërin e tyre për të përsëritur mesazhin se ata shpresojnë të jenë të përjetshëm: Mos na harroni kurrë.

Ken Hay, veteran britanik: Ata nuk duhet të plaken si ne tani. Mosha nuk do t’i lodhë, as vitet nuk do t’i dënojnë. Në perëndimin e diellit dhe në mëngjes do t’i kujtojmë. Kur të shkoni në shtëpi, tregojuni atyre për ne dhe thuaj për të nesërmen tënde. Ne dhamë të sotmen tonë.

80 vjet më parë rreth 4 mijë e 400 ushtarë humbën jetën dhe rreth 9 mijë u plagosën ose u zhdukën. Operacioni i 6 Qershorit 1944 përfshiu 7 mijë anije dhe mjete detare të drejtuara nga më shumë se 195 mijë personel detar.

Me luftën e rikthyer në Ukrainë, në kufijtë e Evropës, përkujtimi i sivjetshëm i Luftës së Dytë Botërore ka një jehonë të veçantë.

Përvjetori zhvillohet në një vit me shumë zgjedhje, përfshirë për Parlamentin Evropian si dhe zgjedhjet amerikane që do të mbahen në nëntor.

Klan News