Dashamir Dini përlotet në studion e “Rudina” në Tv Klan ndërsa flet për të birin që kishte një të ardhme shumë premtuese, por ai i ka lënë një trashëgimi për të cilën ai dhe vajza, Barbana, po kujdesen që të mos humbasë.

Këngët e fundit të Ergit janë edhe një lloj amaneti për ta që e ndiejnë si detyrim për t’i dhënë jetë e për të mos i lënë të humbin në kohë.

Rudina Magjistari: Ergi ishte shumë i talentuar realisht dhe premtonte shumë. Nuk gjejmë fjalë sa herë që duhet ta kujtojmë atë histori, një histori e fortë, por kam përshtypjen që kjo iu vë shpirtin në paqe dhe fakti që po përmbushni le të themi, amanetet e tij dhe pse ai ndoshta nuk i ka lënë për të tilla, nuk i kishte bërë për të tilla sepse as ai s’e ka menduar kurrë. Por duket sikur janë amanetet e tij të pathëna, punë të lëna përgjysmë që ju po i përmbyllni, po i çoni deri në fund.

Dashamir Dini: Po, sigurisht, është obligim ndaj vetes si prind dhe si mik i tij, më shumë. E kam për detyrë të çoj deri në fund çdo gjë që ai solli e arriti të krijojë për një periudhë shumë të shkurtër, 22 vjeç ai krijoi 7 këngë që nuk ishin pak për një 22-vjeçar. Dha muzikë shumë të mirë e interpretime shumë të mira që la mbresë për ne e kujtohet, qe një djalë i shkëlqyeshëm prandaj edhe kujtohet.

Rudina Magjistari: Si ndjeheni ju tani që i realizuat këto këngë të Ergit?

Dashamir Dini: Unë ndiej një lloj çlirimi sepse kam bërë aq sa kam mundur për ta realizuar.

Kënga ndodhet në kanalin e Barbana Dinit në Youtube, ndërsa pas 3 javësh, më 7 Korrik, pritet publikimi i këngës tjetër të Ergit, një baladë e titulluar “Killed”. /tvklan.al