Moderatori i njohur Bledi Strakosha rrëfeu në një intervistë ekskluzive këtë të hënë, më 14 shtator, të gjithë betejën e tij të vështirë me një problematikë të rëndë shëndetësore.

Ai rrëfeu se një dhimbje koke e tmerrshme dhe e pazakontë ishte simptoma e parë për të zbuluar se kishte pësuar një hemorragji cerebrale.

“Se kisha provuar ndonjëherë atë lloj dhimbje ishte aq e fortë sa më vonë, kur ia përshkrova sime motre, i thashë: më vinte të vrisja veten vetëm që të shpëtoja nga ajo dhimbje koke, aq e tmerrshme ishte.”

Ai u shpreh se, falë insistimit të së motrës, ai shkoi të kryente një kontroll në QSUT dhe se mjekët konstatuan se duhet të kryente një ndërhyrje kirurgjikale urgjente.

“Ndërhyrja kirurgjikale me çarje të kokës bëhej në QSUT, por ime motër vendosi që ta bëjmë në spital privat sepse ndërhyrja do të kryhej mikroinvazive, është një teknologji e fundit që nuk krijon dhimbje dhe është shumë më e sigurt për të gjithë procesin. Kështu që u transportova në spital privat dhe aty është bërë ndërhyrja ditën e dielë në mbrëmje. Ndërhyrja është bërë në kokë, por përmes një sonde nga kofsha.”

Moderatori pohoi se ndërhyrja ishte shumë e kushtueshme dhe është shumë falënderues ndaj motrës së tij që ka mbuluar kostot e operacionit, por edhe të kujdesit disa ditor pas daljes nga spitali.

“Shumë e kushtueshme, fatkeqësisht shteti nuk e mundëson dhe shumë gabim, sepse në Kosovë mora vesh që shteti rimburson 80% të kostos së këtij operacioni dhe, meqë shteti nuk e ofron, duhet të jepej një mbështetje te privati me sa të mundej. Megjithatë, në këto raste kush po pyet për lekët dhe falënderoj time motër që mori përsipër çdo gjë, jo vetëm shpenzimet, por edhe u përkujdes në mënyrë të veçantë në çdo moment për gjithçka.”

Por përballë një situate të tillë, frika më e madhe nuk lidhej vetëm me shëndetin e tij. Strakosha u përlot teksa foli për prindërit dhe mendoi për pasojat emocionale që kjo ngjarje mund të kishte tek ata.

“Monologu i brendshëm ishte shumë… reanimacioni që s’e kisha përjetuar ndonjëherë, të them të drejtën, e bënte shumë të vështirë. Ëndërroja të shikoja edhe njëherë njerëzit e dashur dhe meraku i madh ishte mami dhe babi, se unë nuk dua të shoh asnjë prind që varros fëmijën e vet. U jam vërtet falënderues mjekëve, Zotit mbi të gjitha, që nuk ua dhashë këtë lëndim.”

Një përvojë që, siç e pranon vetë Strakosha, i ka ndryshuar këndvështrimin për jetën dhe i ka rikujtuar rëndësinë e të mos neglizhuarit asnjëherë sinjalet që na jep trupi.

/tvklan.al