Autoritetet kanë paralajmëruar se niveli ujit pritet të rritet në Sidney pasi shirat e rrëmbyeshëm të së premtes shkaktuan përmbytje në pjesë të mëdha të qytetit australian.

Për rreth 24 orë, qyteti u karakterizua nga shi i dendur, duke detyruar mijëra njerëz të evakuohen nga periferia. Si pasojë u bë e detyrueshme që të hapej edhe diga Warragamba duke shtuar nivelin e ujit.

Njerëzit që jetojnë pranë digës janë paralajmëruar se do të përballen me përmbytje të tjera. Diga u hap të shtunën në mëngjes dhe ka nxjerrë deri tani aq shumë ujë sa e krahasojnë me ujin që kanë 80 mijë pishina të përmasave olimpike.

Nivelet e ujit të digës pritej të arrinin kulmin deri në mesnatë të shtunën me orën lokale. Por disa banorë janë paralajmëruar për rreziqe të mëtejshme.

“Kemi komunikuar me komunitetin duke i bërë me dije çfarë po vjen dhe duke i siguruar që të jenë të përgatitur”, tha një përfaqësues i Shërbimit të Emergjencave në New South Wales.

Sipas tij, ujërat nuk do të prekin një numër të madh njerëzish që banojnë në ato zona, por do të ndikojnë shumë tek fermat dhe bizneset.

Kujtojmë se të shtunën u shpëtuan rreth 150 persona nga përmbytjet, ndërsa një person u gjet i vdekur pranë një rezervuari. Me mijëra banorë ndërkohë kanë mbetur pa energji elektrike./tvklan.al