Turqia po përballet me përmbytje të rënda, pasi reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar kaos në Stamboll dhe disa zona të tjera të vendit.

Tre persona kanë humbur jetën, ndërsa pesë të tjerë rezultojnë të zhdukur. Mes viktimave është edhe një 14-vjeçar i cili u godit nga rryma elektrike, pasi shkeli në një pellg me ujë. Një tjetër person u gjet i pajetë pranë një parku, ndërsa viktima e tretë dyshohet se ra në një pus teksa përpiqej të largonte ujin nga një kantier ndërtimi.

Guvernatori i Stambollit tha se qyteti ka përjetuar nivelin më të lartë të reshjeve që prej vitit 1942, kur nisën regjistrimet zyrtare.

Pamjet dramatike tregojnë automjete të marra nga rrjedha e fuqishme e ujërave dhe banorë që përpiqen të shpëtojnë nga përmbytjet.

Situata ka detyruar autoritetet të mbyllin shkollat në Stamboll deri të hënën, ndërsa banorëve u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin katet e ulëta.

Ndërkohë, dhjetëra fluturime drejt aeroporteve të Stambollit janë devijuar për shkak të motit të keq. Autoritetet vijojnë operacionet e pastrimit dhe kërkim-shpëtimit.

/tvklan.al