Situata nga përmbytjet në Shkodër është përmirësuar. Kuotat e lumenjve Drin dhe Bunë kanë shënuar rënie rreth 20 cm. Kjo ka sjellë tërheqje të ndjeshme të ujit në sipërfaqet e përmbytura. Sipas të dhënave të fundit, nga rreth 760 hektarë nën ujë që ishin një ditë më parë, këtë të enjte rezultojnë 590 hektarë të përmbytur.
Në fshatin Obot dhe Njësinë Administrative Dajç është konstatuar ulje e nivelit të ujit rreth 20 cm, krahasuar me ditën e djeshme. Po ashtu, ka pasur rënie të nivelit edhe në liqen, duke ndikuar pozitivisht në normalizimin e situatës. Pas disa ditësh ku kalimi bëhej vetëm me varka, rruga drejt fshatit Obot qarkullohet sot me mjetet e larta të ushtrisë. Në Obot vijojnë të qëndrojnë 15 efektivë të forcave të armatosura me dy mjete për të mundësuar lëvizjen e banorëve.
Në Lezhë përmbytjet kanë lënë pas pasoja. Nën ujë ka ende sipërfaqe me të mbjella, duke dëmtuar prodhimin bujqësor, veçanërisht kulturat e jonxhës dhe grurit. Më pak dëme janë konstatuar në blegtori dhe banesa.
Grupet në terren kanë konstatuar dëme në rreth 1 700 hektarë në bashkinë e Lezhës, ndërsa procesi i vlerësimit është drejt mbylljes. Autoritetet vendore kanë njoftuar se pas finalizimit të raportit përfundimtar, dosjet do t’u dërgohen institucioneve përgjegjëse për të vijuar me procedurat e mbështetjes dhe kompensimit të fermerëve të prekur.
Në qarkun e Fierit përmbytjet dëmtuan 4 000 hektarë sipërfaqe tokë bujqësore. Grupet në terren kanë përfunduar fazën e parë të verifikimeve në Ferras, ku rezultojnë 110 shtëpi të dëmtuara nga përmbytjet e Vjosës. Procesi i verifikimit vazhdon për Mbrostarin dhe Libofshën, dy njësi administrative ku u përmbytën gjithsej 20 shtëpi nga dalja e lumit Seman nga shtrati.
Të dhënat paraprake nga bashkia e Fierit tregojnë një faturë financiare prej miliona lekësh kompensim për familjet e prekura nga përmbytjet. Në Lushnjë u evidentuan dëmet në 20 banesa në fshatin Thanasaj, të cilat u përmbytën nga dalja e lumit Shkumbin nga shtrati. Por dëmet në bujqësi janë më të mëdha. Aktualisht në zonë mbi 3 800 hektarë janë ende të përmbytura. Pritet tërheqja e ujit për të bërë vlerësimin e dëmit në të mbjella.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 