Ndërmjetësuesit nga Katari dhe Pakistani njoftuan sot se Uashingtoni dhe Teherani kanë rënë dakord për planin që do të çojë drejt një marrëveshjeje përfundimtare mes dy vendeve.

Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ranë dakord për një udhërrëfyes zyrtar, i cili synon që përgjatë 60 ditëve të armëpushimit të çojë drejt një marrëveshjeje përfundimtare paqeje, për t’i dhënë fund luftës.

Kjo dakordësi u arrit në Zvicër gjatë raundit të parë të dialogut të nivelit të lartë, pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit javën e kaluar.

Në një deklaratë të përbashkët, ndërmjetësuesit nga Katari dhe Pakistani njoftuan se bisedimet u zhvilluan në një frymë konstruktive, duke sjellë përparim inkurajues me krijimin e një Komiteti të Nivelit të Lartë dhe celulave të posaçme për të monitoruar ndalimin e luftimeve në Liban dhe për të garantuar lundrimin e sigurt në Ngushticën e Hormuzit.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, u shpreh mjaft entuziast për këtë progres, duke nënvizuar se marrëveshja po i hap rrugën heqjes së bllokadës ndaj eksporteve të naftës, lirimit të aseteve të ngrira dhe nisjes së një plani madhor për rindërtimin dhe zhvillimin e Iranit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tha se Irani nuk do të lejohet kurrë të prodhojë armë bërthamore, ndërsa pavarësisht armëpushimit me Hezbollahun, ushtria izraelite nuk do të tërhiqet nga Libani i Jugut.

Tv Klan

/tvklan.al