Një këmbësor ka gjetur vdekjen pasditen e kësaj të mërkure në autostradën Tiranë-Durrës. Ngjarja ndodhi rreth orës 17:15, në vendin e quajtur “Marikaj”.

Sipas policisë, viktima është një burrë rreth të 60-ave, ende i paidentifikuar. Ai u përplas për vdekje nga një furgon, në momentin që po kalonte nga njëra anë e autostradës në tjetrën.

Policia thotë se drejtuesi i furgonit me iniciale F. V ishte i pajisur me leje drejtimi dhe certifikatë të aftësisë profesionale. Ai është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme hetimore.

Ndërkohë, Policia Rrugore dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje, ku po vijon punën për sqarimin e rrethanave të aksidentit, si dhe identifikimin e viktimës./tvklan.al