Pretendimet e biznesmenëve V.B dhe L.M po verifikohen nga policia, me qëllim përcaktimin e motivit të përplasjes së tyre në hotel Regina, në zonën e Radhimës, paraditen e së enjtes.

Kështu u shpreh drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, pas një takimi të zhvilluar në qytetin e Kukësit.

“Ngjarja e Vlorës ishte një ngjarje që, në marrjen e njoftimit në momentin e parë, u angazhuan shumë shpejt forcat policore. U bë i mundur ndalimi dhe kapja në flagrancë e disa prej autorëve. Vazhdoi hetimi për orë të tëra dhe, edhe në këto momente që jemi së bashku, vazhdojnë veprimet procedurale, edhe në bashkëpunim me prokurorinë. Është një ngjarje që vërtet ka marrë vëmendje të madhe, por nga ana e Policisë vazhdon verifikimi i pretendimeve të të gjitha palëve për kryerjen e veprimeve”, pohoi Hita.

I pranishëm në takimin e zhvilluar në Kukës, ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, tha për ngjarjen e Vlorës se reagimi i policisë ishte i shpejtë dhe se personat e përfshirë do të vihen para drejtësisë.

“Ajo çfarë është e rëndësishme, pa hyrë në çështje operacionale, që i takojnë Policisë së Shtetit, është reagimi i menjëhershëm, i shpejtë i Policisë së Shtetit. Pati menjëherë persona të arrestuar, persona të cilët janë ende në kërkim dhe besoj do të gjenden dhe do të vihen para drejtësisë”, deklaroi Lamallari.

Deri në këtë fazë, policia e Vlorës ka vënë në pranga 5 persona, mes tyre biznesmenin L.M, por edhe shoqëruesin e sipërmarrësit tjetër, V.B.

Bëhet fjalë për A.T., i cili, nga hetimet, ka rezultuar se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të grupit që shoqëronte biznesmenin L.M, e për pasojë një person prej tyre dyshohet se ka mbetur i plagosur.

Nga verifikimet e deritanishme, i dëmtuari nuk ka marrë ndihmë në asnjë prej spitaleve në vend, teksa po punohet edhe për identifikimin e tij.

Ndërkohë, janë shpallur në kërkim 6 persona të tjerë, të cilët shoqëronin sipërmarrësin L.M, ndërsa janë shpallur në kërkim edhe 4 automjete.

Deri tani, policia është përballë dy versioneve për ngjarjen. Nga njëra anë, V.B pretendon se i është vënë gjobë në vlerën e 5 milionë eurove, ndërsa biznesmeni L.M ka deklaruar se sherri ka nisur për një mosmarrëveshje pronësie për një tokë në jug të vendit.

Tv Klan

/tvklan.al