Nga përplasja fizike mes dy biznesmenëve, V.B. dhe L.M., në Vlorë, dyshohet se pati edhe të plagosur me armë zjarri. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se nga të shtënat me armë zjarri të shoqëruesit të biznesmenit të dhunuar, V.B., ka dyshime se është plagosur një prej personave që shoqëronte sipërmarrësin L.M.
Nga verifikimet e deritanishme të hetuesve, i dëmtuari nuk ka marrë ndihmë në asnjë prej spitaleve në vend, teksa po punohet edhe për identifikimin e tij.
Nga ana tjetër, policia ka arrestuar A.B. si personin që ka qëlluar me një pistoletë, të cilën e zotëronte me leje V.B., teksa në pranga ka përfunduar edhe biznesmeni L.M. dhe 3 shoqërues të tij.
Në kërkim janë shpallur edhe 6 persona të tjerë, të cilët shoqëronin sipërmarrësin L.M., ndërsa policia po punon për gjetjen edhe të katër automjeteve të përdorura në vendngjarje. Deri në këtë fazë, policia ende nuk e ka përcaktuar zyrtarisht motivin e përplasjes së biznesmenëve.
Nga njëra anë, V.B. pretendon se i është vënë gjobë në vlerën e 5 milionë eurove, ndërsa biznesmeni L.M. ka deklaruar se sherri ka nisur për një mosmarrëveshje pronësie për një tokë në jug të vendit. Konflikti mes sipërmarrësve u regjistrua paraditen e së enjtes në resortin në pronësi të biznesmenit V.B., ku në përplasje u përfshinë rreth 20 persona, roli i të cilëve ende nuk është përcaktuar plotësisht.
Për ngjarjen reaguan edhe ministri i Brendshëm dhe kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Sipas Hitës dhe Lamallari, policia do të jetë e vendosur përballë kriminalitetit dhe fenomeneve që cenojnë sigurinë.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 