Shtetet e Bashkuara dhe Franca u përplasën ashpër lidhur me mandatin e përfaqësuesit të OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Turk, me Francën, e cila akuzoi Shtetet e Bashkuara, se nuk ishin më një pishtar për të drejtat e njeriut.
Ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Mike Waltz, u kundërpërgjigj duke thënë se Franca po mbështeste një përfaqësues të të drejtave të njeriut, që ndërsa kritikon kombet demokratike si Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, rreshtohet krah shtypësve më të këqij në botë.
“Është zhgënjyese megjithëse jo e habitshme që kjo është mënyra se si Franca shmang votën e saj të turpshme për t’u rreshtuar me disa nga shkelësit më të këqij të të drejtave të njeriut. Franca votoi për dikë që i ka dhënë mësime, demokracive të lira dhe sovrane si Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Izraeli, ndërsa është afruar me shtypësit më të këqij në botë”, tha ambasadori i SHBA-ve në OKB, Mike Waltz.
Asambleja e Përgjithshme e OKB votoi për të zgjatur mandatin e Turk, i cili kishte bërë thirrje për hetime për vdekjet në paraburgimin e imigracionit në SHBA.
Pas votimit, misioni francez në Gjenevë akuzoi Shtetet e Bashkuara në një postim në X se nuk ishin më pishtar për të drejtat e njeriut.
“SHBA dikur ishin një pishtar i të drejtave të njeriut. Jo më. Sot, ato qëndrojnë përkrah Koresë së Veriut, Nikaraguasë, Malit dhe Rusisë, të izoluara dhe bota nuk i dëgjon më”, tha misioni francez në Gjenevë.
Ndër vendet që votuan kundër vazhdimit të mandatit të Turk ishin Rusia, Nikaragua, Koreja e Veriut, Argjentina dhe Shtetet e Bashkuara.
Reagimet vazhduan edhe gjatë një sesioni të Këshillit të Sigurimit lidhur me luftën e Rusisë kundër Ukrainës, ku përfaqësuesi amerikan në OKB Dan Negra u largua nga takimi.
Negra tha se delegacioni amerikan ishte larguar gjatë kohës që Franca po bënte vërejtjet e veta dhe do të vazhdonte ta bënte këtë derisa ata “të hiqnin dorë” nga ajo që ai e cilësoi “retorikë përçmuese dhe me mungesë respekti”.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 