Që prej shpalljes së armëpushimit me Iranin më 7 prill nga presidenti amerikan Donald Trump, zhvillimet kanë qenë intensive, të ndërlikuara dhe shpesh kontradiktore, duke reflektuar një realitet të brishtë në terren dhe një proces negociatash të pasigurt.
Fillimisht, në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Trump njoftoi pezullimin e sulmeve, duke theksuar rolin kyç të Pakistanit për të ndërmjetësuar e duke veçuar kryeministrin Shehbaz Sharif.
Presidenti deklaroi se Shtetet e Bashkuara arritën objektivat ushtarake dhe se një propozim 10-pikësh nga Irani mund të shërbejë si bazë për një marrëveshje afatgjatë në të ardhmen.
“Bazuar në bisedat me kryeministrin Shehbaz Sharif… kam rënë dakord të pezulloj bombardimet dhe sulmet ndaj Iranit për një periudhë dyjavore. Ky do të jetë një armëpushim i dyanshëm. Ne kemi përmbushur dhe tejkaluar të gjitha objektivat ushtarake dhe jemi shumë pranë një marrëveshjeje për paqe afatgjatë me Iranin dhe në Lindjen e Mesme. Kemi marrë një propozim 10-pikësh nga Irani dhe besojmë se është një bazë e realizueshme për negociata”, tha Trump.
Irani nga ana tjetër, konfirmoi ndalimin e operacioneve vetëm nëse sulmet ndaj tij ndalojnë, duke theksuar gjithashtu se kalimi në Ngushticën e Hormuzit do të lejohet përkohësisht.
Por vetëm një ditë më pas, situata në rajon u tensionua sërish. Sulmet intensive izraelite në Liban shkaktuan qindra viktima dhe një reagim të ashpër nga Teherani, duke vënë në pikëpyetje armëpushimin.
Në këtë klimë, përpjekjet diplomatike u zhvendosën në Islamabad, ku më 11 prill nisën bisedimet mes delegacioneve të nivelit të lartë. Në krye të delegacionit amerikan ishte zëvendëspresidenti JD Vance.
Megjithatë, pas 21 orësh negociatash intensive, bisedimet përfunduan pa marrëveshje.
“Kemi negociuar për 21 orë dhe kemi pasur diskutime të rëndësishme me iranianët, kjo është pjesa e mirë. Pjesa e keqe është se nuk arritëm marrëveshje dhe ky është më shumë lajm i keq për Iranin sesa për Shtetet e Bashkuara. I kemi bërë të qarta vijat tona të kuqe, çfarë jemi të gatshëm të pranojmë dhe çfarë jo”, tha JD Vance.
Edhe pala iraniane konfirmoi përparimin e kufizuar, por edhe dallimet e mëdha që mbetën për çështjet kryesore.
“Kemi arritur mirëkuptim për disa çështje, kjo është e vërteta. Megjithatë, për dy ose tre çështje të rëndësishme, qëndrimet mbetën të largëta dhe në fund nuk u arrit marrëveshje”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei.
Vetëm një ditë pas shpalljes së armëpushimit, situata në rajon u tensionua ndjeshëm. Izraeli ndërmori disa nga goditjet më të rënda në Liban, duke shkaktuar qindra viktima dhe dëme të mëdha materiale.
Irani reagoi duke i cilësuar sulmet shkelje të drejtpërdrejtë të marrëveshjes së arritur me Shtetet e Bashkuara, duke shtuar dyshimet nëse armëpushimi mund të mbahej.
Në të njëjtën kohë, kryeministri izraelit BenjaminNetanyahu deklaroi se Izraeli është i hapur për një marrëveshje të vërtetë paqeje me Libanin, por vendosi kushte të qarta për këtë proces.
“Gjatë muajit të fundit, Libani na është drejtuar disa herë për të nisur bisedime të drejtpërdrejta paqeje. Kjo nuk ka ndodhur më parë në histori. Unë e kam miratuar këtë, por me dy kushte: çarmatimin e Hezbollahut dhe arritjen e një marrëveshjeje të vërtetë paqeje që të zgjasë”, u shpreh Netanyahu.
Këto zhvillime në Liban dhe qëndrimi i Izraelit shtuan kompleksitetin e situatës, duke e kthyer konfliktin në një krizë shumëpalëshe, ku çdo përshkallëzim në një front rrezikon të ndikojë drejtpërdrejt në procesin e negociatave mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Ndërkohë, në terren situata u përkeqësua. ShBA shpalli një bllokadë në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Irani akuzoi Uashingtonin për “pirateri detare”.
“Ka shumë anije që po shkojnë për të marrë naftë dhe më pas ta transportojnë atë. Tani ato nuk do të kalojnë në Ngushticën e Hormuzit”, theksoi Trump.
Lufta në Iran hapi një front të ri, kësaj here me Vatikanin ku përplasjet verbale u zgjeruan jashtë konfliktit rajonal. Presidenti Trump kritikoi Papa Leonin XIV, ndërsa ky i fundit reagoi duke theksuar se do të vazhdojë të flasë kundër luftës.
“Nuk dua të hyj në debat me të. Nuk mendoj se mesazhi i ungjillit duhet të keqpërdoret në mënyrën si po ndodh nga disa. Dhe unë do të vazhdoj të flas fort kundër luftës”, tha Papa Leoni.
Në ditët në vijim, tensionet në det u rritën ndjeshëm. U raportuan përplasje direkte, kapje anijesh dhe operacione ushtarake nga të dyja palët në Ngushticën e Hormuzit.
Më 17 prill, Irani njoftoi hapjen e plotë të kalimit për anijet tregtare, kjo për shkak të armëpushimit mes Izralelit dhe Libanit, ndërsa ShBA-ja konfirmoi se bllokada do të vazhdojë.
“Kjo do të jetë një ditë e madhe për botën sepse Irani sapo ka njoftuar se Ngushtica e Hormuzit është plotësisht e hapur për biznes. Por bllokada detare do të vazhdojë të jetë në fuqi të plotë derisa të arrihet dhe nënshkruhet një marrëveshje me Iranin”, u shpreh presidenti amerikan, Donald Trump.
Megjithatë, më 18 prill, tensionet u rritën sërish, kur autoritetet iraniane akuzuan SHBA për shkelje të marrëveshjeve dhe veprime armiqësore në det.
“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë aktet e piraterisë dhe grabitjes detare nën atë që e quajnë bllokadë”, tha Ebrahim Zolfaqari, zëdhënës i ushtrisë iraniane.
Pamjet treguan prani të shtuar të anijeve dhe një situatë të tensionuar në Ngushticën e Hormuzit. Më 19 prill, një anije luftarake amerikane hapi zjarr ndaj një anijeje tregtare iraniane “Touska”, pasi ajo nuk iu bind paralajmërimeve.
Një ditë më pas, forcat amerikane ndërmorën një operacion për kapjen e saj, me trupa që zbritën nga helikopterët gjatë natës mbi kuvertën e anijes.
Nga ana tjetër, më 22 dhe 23 prill, forcat iraniane sekuestruan dy anije kontejnerësh “MSC Francesca” dhe “Epaminondas”.
Këto incidente treguan se përplasja mes dy vendeve po vazhdon në mënyrë aktive në det, pavarësisht armëpushimit formal.
Më 21 prill, presidenti Trump vendosi të zgjasë armëpushimin, ndërsa kontaktet diplomatike vijuan me ndërmjetësimin e Pakistanit. Në fund të periudhës, ministri i jashtëm iranian Abas Aragchi vizitoi Pakistanin ku paraqiti një propozim të ri për fundin e luftës.
Hapje të Ngushticës së Hormzuit dhe shtyrjen e bisedimeve për programin bërthamor. Më pas ai udhëtoi drejt Shën Pjetërburgut ku takoi presidentin Vladimir Putin.
“Ne shpresojmë shumë që populli iranian ta kalojë këtë periudhë të vështirë dhe që në fund të mbizotërojë paqja”, tha presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Pavarësisht përpjekjeve diplomatike dhe zgjatjes së armëpushimit, zhvillimet në terren tregojnë se situata mbetet e paqëndrueshme dhe një marrëveshje përfundimtare ende larg.
SHBA-ja nga ana tjetër mbeti e pakënaqur me propozimin e ri iranian dhe burimet nga Shtëpia e Bardhë u thanë mediave Axios dhe Wall Street Journal se po planifikohet që bllokada detare të zgjasë me muaj.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
