Arrestohet autori, në spital një 20-vjeçar që ndërhyri për të shuar konfliktin

19-vjeçari Grei Bihuci bëri vetëm 2 orë mësim në shkollën profesionale “Petro Sota” në Fier këtë të henë dhe më pas u largua. Në rrjetet sociale ishte përplasur me një moshatar të tij, 18-vjeçarin Florian Muka dhe kishin lënë qendrën e qytetit për t’u sqaruar.

Pas sherrit verbal, të rinjtë kaluan menjëherë në përplasje fizike. Muka e qëlloi të riun disa herë me një thikë që mbante me vete duke i shkaktuar plagë të rënda. Edhe pse u transportua menjeherë në spital, 19-vjecari nuk mundi të mbijetojë. I plagosur mbeti edhe një 20-vjeçar, i cili ka tentuar të ndërhyjë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit. I riu është dërguar në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pak minuta pas ngjarjes policia vuri në pranga autorin. Për sqarimin e plotë të rrethanave hetuesit kanë sekuestruar disa prova materiale, mes të cilave dhe pamje filmike. Nga verifikimet e deritanishme dyshimet janë se konflikti ka si shkak motive banale dhe konfliktet në rrjetet sociale. Në pyetje për ngjarjen janë duke u marrë dëshmitarët okularë, por edhe të afërm të autorit dhe viktimës.

Klan News