Finalja e Kupës së Botës 2030 rrezikon të kthehet në një çështje të nxehtë politike dhe diplomatike mes Spanjës dhe Marokut. Gara për të pritur ndeshjen më të rëndësishme të futbollit botëror ka marrë një dimension të ri, pasi kandidati për kryeministër të Spanjës, Alberto Núñez Feijóo, ka bërë një deklaratë të fortë: vendi i tij mund të tërhiqet nga organizimi nëse finalja i jepet Marokut.
Tensionet mes dy vendeve, të lidhura edhe me krizën humanitare në Ceuta, kanë hyrë tashmë në debatin për Botërorin e vitit 2030. Kandidati i Partisë Popullore spanjolle argumenton se Spanja dhe Portugalia ishin pjesë e projektit fillestar të organizimit, ndërsa Maroku iu bashkua më vonë kandidaturës së përbashkët. Për këtë arsye, sipas tij, Spanja meriton të presë finalen e madhe.
Por beteja nuk është vetëm politike. Në garë janë tre stadiume gjigante, secili me pretendimet e veta për të pritur ndeshjen që do të kurorëzojë kampionët e botës. Në Spanjë, dy kandidatët kryesorë janë Santiago Bernabéu i Real Madridit dhe Camp Nou i rinovuar i Barcelonës. Ndërkohë, Maroku synon të marrë finalen në stadiumin e ri Hassan II në Casablanca, i cili pritet të ketë një kapacitet prej plot 115 mijë spektatorësh.
Me këtë kapacitet, stadiumi maroken do të tejkalonte Camp Nou-n, që parashikohet të ketë rreth 105 mijë vende pas përfundimit të plotë të punimeve, si dhe Bernabéu-n, me rreth 83 mijë vende. Botërori 2030 do të zhvillohet në tre vende: Spanjë, Marok dhe Portugali.
Spanja do të presë 11 stadiume, Maroku gjashtë dhe Portugalia tre, por pikërisht finalja po kthehet në çështjen më të debatueshme të organizimit. Për momentin, FIFA nuk ka marrë një vendim për stadiumin që do të presë finalen, vendim që pritet të merret në mbledhjen e ardhshme të organizmit më të madh të futbollit botëror.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
