Nisi si protestë paqësore, por këtë të enjte ajo degjeneroi në dhunë dhe akte vandale.

Ky është momenti kur një efektiv policie mbeti i plagosur pasi u godit me gur në kokë nga protestuesit pranë parlamentit. Dhunës dhe akteve vandale nuk i shpëtoi asnjë prej automjeteve të policisë, siç shihet edhe në këto pamje.

Përshkallëzimi i situatës ndodhi para se të niste seanca plenare e orës 10:00, ku protestuesit u përplasën me policinë jashtë rrethimit të godinës. Nën masa të shtuara sigurie, efektivët e Policisë së Shtetit kishin krijuar një perimetër rreth Parlamentit për të garantuar hyrjen dhe daljen e deputetëve.

Për shkak të tensioneve të vazhdueshme, policia ndërhyri duke hedhur spraj djegës, gaz lotsjellës, por edhe ujë. Pas përfundimit të seancës plenare, situata u tensionua sërish. Protestuesit tentuan të bllokonin daljen e mjeteve të deputetëve dhe ministrave, ku drejt tyre u hodhën bidona me ujë dhe vezë.

Përballë këtyre tensioneve, disa prej mjeteve të deputetëve u tërhoqën brenda oborrit të parlamentit.

Për të shpërndarë protestuesit para parlamentit, u hodh ujë me presion. Pas hapjes së rrugës, mjetet e deputetëve dhe ministrave u larguan me shpejtësi.

Policia shoqëroi disa protestues për aktet vandale të ndërmarra gjatë protestës pranë parlamentit. Pas disa orësh tensione, ekspertët mblodhën prova materiale dhe kryen ekspertizat e nevojshme për gjithë situatën kaotike që u krijua.

Tv Klan

/tvklan.al