Qindra pjesëtarë të policisë ndërhynë të dielën në qendër të Beogradit për të ndarë përkrahësit dhe kundërshtarët e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërsa tensionet politike u përshkallëzuan pas një viti protestash të vazhdueshme kundër qeverisë.
Mijëra persona u përballën nga të dy anët e kordonëve policorë, me forcat e rendit që qëndronin në disa rreshta mes turmave që bërtisnin dhe gjuanin me shishe e flakadanë.
Tensionet në Beograd u rritën një ditë pas një mitingu masiv në qytetin verior të Novi Sadit, ku dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë për të shënuar përvjetorin e parë të tragjedisë në stacionin hekurudhor, ku humbën jetën 16 persona. Ngjarja nxiti një lëvizje të udhëhequr nga të rinjtë që kërkojnë ndryshime politike dhe që ka sfiduar kontrollin e fortë të Vuçiqit mbi pushtetin, shkruan The Washington Post.
Protestuesit kundër qeverisë në Beograd u mblodhën në mbështetje të Dijana Hrka, nënës së Stefan Hrkës, një prej viktimave të tragjedisë në Novi Sad. Hrka deklaroi më herët të dielën se do të niste një grevë urie pranë kampit me çadra jashtë ndërtesës së parlamentit, i cili është i zënë nga përkrahësit e Vuçiçit që nga muaji mars.
Protestuesit u mblodhën gjithashtu të dielën në mbrëmje në Novi Sad dhe në disa qytete më të vogla në mbështetje të Hrkës.
Tubimi përkujtimor i së shtunës në Novi Sad pasqyroi gjithashtu pakënaqësinë e thellë ndaj qeverisjes gjithnjë e më autoritare të Vuçiçit gjatë 13 viteve të fundit. Protestuesit e udhëhequr nga të rinjtë po kërkojnë zgjedhje të parakohshme me shpresën për të larguar nga pushteti qeverinë populiste.
Protestuesit besojnë se korrupsioni i përhapur dhe nepotizmi gjatë punimeve në stacionin hekurudhor të Novi Sadit çuan në neglizhencë dhe shkelje të rregullave të sigurisë në ndërtim, gjë që solli shembjen e një strukture betoni mbi njerëzit që ndodheshin poshtë.
Hrka tha se kërkon drejtësi për vdekjen e të birit dhe të 15 viktimave të tjera. Ajo gjithashtu ka kërkuar lirimin e të gjithë protestuesve të ndaluar dhe që Vuçiç të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare, siç kërkojnë studentët që janë në ballë të protestave.
Vuçiç ngriti kampin e përkrahësve të tij përpara një mitingu të madh në Beograd në mars. Zona e rrethuar, e njohur në mënyrë popullore si “Caciland”, shërben si një mburojë njerëzore për presidentin, duke zënë një park dhe një rrugë mes zyrës së tij dhe ndërtesës së parlamentit.
Policia ka ruajtur kampin, ndërsa zona ka qenë e ndaluar për banorët e Beogradit. Një incident me armë zjarri muajin e kaluar në atë zonë ka nxitur frikën për përshkallëzim të dhunës.
Autoritetet kanë shtuar presionin ndaj protestuesve muajt e fundit, me qindra të ndaluar dhe protesta të shpërndara nga policia. Mediat proqeveritare dhe zyrtarët kanë etiketuar studentët protestues si “terroristë”, duke i akuzuar për nxitje të dhunës.
/tvklan.al












Botërori 2026 
